Përfundon para kohe testi “PISA 2018”
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka vizituar komunën e Drenasit, komunë ku sot ka përfunduar testin PISA, i cili ka filluar me datën 11 prill, dhe është mbajtur në të gjitha shkollat e përzgjedhura për organizimin e këtij testi ndërkombëtar.
Ministri me këtë rast përmendi faktin se testi PISA do të përfundojë sot, pasi që sipas tij procesi ka ecur më mirë se seç është pritur.
“Kjo periudhë ka qenë e planifikuar deri më 5 maj, duke pasë parasysh se mund të kemi ndonjë dështim, mund të kemi përsëritje në ndonjë komunë, por vërtetë nuk ka pasur nevojë që të kemi përsëritje fare dhe sot po e përfundojmë. Unë besoj se ky test do të jetë shumë më i mirë se sa që ka qenë në të kaluarën dhe do të na japë edhe shpresë, por gjithsesi do të na shtojë edhe përgjegjësinë që tutje të punojmë edhe më shumë për ngritjen e cilësisë së arsimit”, ka deklaruar Bytyqi.
Bytyqi ka takuar edhe nënkryetarin e Komunës së Drenasit, Gani Syla, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në arsim, përpjekjet për ngritjen e cilësisë, por edhe për nevojën që kanë shkollat e kësaj komune për pajisjen e kabineteve, salla sportive dhe zgjerim të infrastrukturës.
I shoqëruar nga nënkryetari Syla, ministri Bytyqi më pas ka vizituar dy shkolla të kësaj komune: gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” dhe shkollën e mesme profesionale “Fehmi Lladrovci”.
Në gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu”, e cila ka 1200 nxënës, Ministri është shprehur i kënaqur me sukseset e kësaj shkolle, ku edhe ai vet ka mbaruar shkollën e mesme.
Ndërsa, gjatë vizitës në shkollën e mesme profesionale “Fehmi Lladrovci”, e cila numëron 1325 nxënës në 10 drejtime, respektivisht 19 profile arsimore, ministri Bytyqi ka inkurajuar nxënësit që të orientohen në shkolla profesionale, sepse kështu do të marrin shkathtësitë dhe kompetencat e nevojshme dhe do të jenë shumë më afër tregut të punës.