Përfundon për këtë javë gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt
Ka përfunduar për këtë javë gjykimi ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së që po zhvillohet në Dhomat e Specilizuara në Hagë.
Para trupit gjykues ka dëshmuar Daniel Moberg, oficer i sigurisë operative në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili ka thënë se më 8 shtator, bashkë me një anëtar tjetër të ZPS-së, një përkthyes dhe një vëzhgues, ka kryer sekuestrim e dokumenteve në OVL-UÇK.
Ai ka thënë se sekuestrimin e kanë bërë me autorizim të gjykatës dhe një kopje të këtij vendimi ia kanë dorëzuar përfaqësuesit të OVL-UÇK, Faton Klinakut që sipas tij ka nënshkruar dokumentet e dorëzimit.
Dëshmitari ka thënë se Klinaku ka vërejtur që dokumentet të cilat u ka dorëzuar zyrtarëve të ZPS-së, kanë qenë ato që kishin arritur në zyrat e organizatës nga një person ende i panjohur.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se më 8 shtator i ka transportuar vet materialet e sekuestruar nga OVL-UÇK në zyrën e ZPS-së në Prishtinë.
Dëshmitari ka shtuar se ka qenë i pranishëm në skanimin e dokumenteve dhe dorëzimin e tyre për në Hagë, pasi i ka vulosur.
Suedezi Moberg ka thënë se nuk është i përfshirë në hetime veçse ndihmon në ngjarje të tilla.
Ai i ka thënë trupit gjykues se nuk ka njohuri rreth hetimit të ZPS-së që lidhet me rrjedhjen e dokumenteve.
Daniel Moberg tha se është pjesë e ZPS-së që prej fillimit të punës së saj, ndërsa ka shtuar se më herët ka punuar edhe më Task Forcën Hetimore Speciale.
“Një pjesë e mirë e kompetencave të mija ushtrohet në teren, duke ofruar siguri për stafin e ZPS-së por gjithashtu punojmë ngushtë edhe me departamente të ndryshëm si për shembull me dëshmitarët, me sigurimin e partnerëve të tjerë, pjesa më e madhe e punës sonë realizohet në teren”, ka thënë dëshmitari.
Në seancën gjyqësore që do të mbahet të hënën, më 8 nëntor pritet të akuzuarit Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj të bëjnë nga një deklarim para trupit gjykues.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë arrestuar më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.