Përfundon për sot seanca gjyqësore në Hagë, shkak problemet teknike
Seanca gjyqësore në rastin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ka përfunduar më herët për shkak të problemeve teknike në Dhomat e Specializuara. Pas pauzës ishte paraparë të vazhdojë dëshminë kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, por Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se për shkak të vështirësive për video-lidhje mes sallës së gjyqit dhe njësisë së paraburgimit në Hagë, seanca do të vazhdojë nesër.
Derisa Hysni Gucati ka dëshmuar në sallën e gjyqit, Nasim Haradinaj e ka ndjekur seancën në distancë për shkak të infektimit me koronavirus. Por, në pjesën e fundit të seancës, janë shfaqur probleme teknike dhe Haradinaj nuk ka mundur të përcjellë gjykimin.
Meqë Dhomat e Specializuara nuk kanë arritur të rivendosin lidhjen, seanca pritet të vazhdojë nesër (e mërkurë).
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, e ka vazhduar dëshminë e tij për ditën e dytë me radhë ku ndër të tjera ka thënë se zyrtarët e organizatës së veteranëve të UÇK-së nuk kanë publikuar emra apo deklarata të dëshmitarëve të cilat mund të kenë qenë në dokumentet e sekuestruara në zyrat e OVL-UÇK-së.
Ai ka thënë se kanë synuar që të dëshmojnë se Gjykata Speciale bashkëpunon me Serbinë, çka sipas tij është treguar në dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK-së, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.