Përfundon pjesa e parë e ndeshjes Lituani-Kosovë
Kosova po udhëheq me rezultat 1-0 pas pjesës së parë në takimin që po e luan në udhëtim ndaj Litaunisë në kuadër të rrethit të tretë të Ligës së Kombeve.
Që nga minuta e parë ‘Dardanët’ ushtruan trysni ndaj vendasve të cilët po mbyllnin mirë hapësirat në fazën defanzive.
Në minutën e dytë Albion Rrahmani bëri një pasim të mençur brenda zonës por i cili u bllokua nga mbrojtja kundërshtare.
Rastin e parë për gol Kosova e pati në minutën e 12-të me anë të Milot Rashicës por gjuajtja e tij përfundoi mbi portë.
Pas disa përpjekjeve për të gjetur golin, të besuarit e Franco Fodës më në fund e gjetën atë në minutën e 20-të.
Autor i këtij goli ishte Edon Zhegrova i cili dëshmoi se është një lojtar i nivelit botëror duke realizuar për 1-0 pas asistimit të Florent Muslijës.
Ndonëse në një pozicion dukshëm të thellë në pozitë jashtë loje, vendasit ia dolën të shënojnë për rezultatin 1-1, por VAR-i më pas e anuloi atë.
Duke marrë parasysh qasjen që pati Kosova gjatë 45 minutave të para me shumë mundësi do të ketë gola të tjerë edhe në pjesën e dytë.