Përfundon projekti i rrjetit të kanalizimit në tre fshatra të Malishevës
Kanë përfunduar punimet për ndërtimin e dy kilometrave të rrjetit të ri të kanalizimit në fshatrat Panorc, Rud dhe Garaqevë të Komunës së Malishevës.
Ky rrjet i kanalizimit është ndërtuar në kuadër të realizimit të projekteve kapitale për vitin 2019 dhe në kuadër të realizimit të planifikimeve komunale për këtë vit.
Përfundimin e projektit në fshatin Rud e ka parë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili ishte shoqëruar edhe nga mbikëqyrësi i projektit, Ahmet Morina. Gjatë inspektimit të punimeve ata janë takuar edhe me banorët, të cilët janë ndarë të kënaqur me zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në këto fshatra.
“Është bërë një punë e mirë dhe është realizuar një kërkesë e banorëve të këtyre vendbanimeve, të cilët kishin nevojë që të zgjerohet rrjeti ekzistues i kanalizimit, në mënyrë që edhe shtëpitë e reja që janë ndërtuar, por edhe ato që për shkak të konfiguracionit të terrenit më herët nuk kanë pasur qasje në rrjetin e kanalizimit, tani të kenë qasje”, ka thënë Berisha gjatë vizitës në Rud dhe Garaqevë.
/Epoka e re/