Përfundon protesta, poça elektrik dhe qirinj u hodhën në drejtim të Qeverisë
Është mbajtur protesta e thirrur nga Partia Socialdemokrate e Kosovës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ndërsa disa nga anëtarët e Partisë Socialdemokrate janë përplasur me Policinë e Kosovës.
Anëtarë të PSD-së kanë tentuar të mbajnë fjalimin para shkallëve të ndërtesës së Qeverisë, çka solli edhe përplasje mes Policisë dhe protestuesve.
Protestuesit mbanin pankarta “Krejt rroga në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Me popull dhe rrymë nuk luhet se djegësh”.
Në protestë kanë marrë pjesë kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, anëtarë të kësaj partie dhe qytetarë.
PSD thekson se kanë protestuar që shfrytëzimi i qytetarëve të Kosovës për të ruajtur profitin e interesat e KEDS e KESCO-s të ndalohet.
Kjo parti ka bërë të ditur se po protestojnë për këto arsye pasi:
Rritja e çmimit të energjisë është e papërballueshme për shumicën dërmuese të qytetarëve. Krahasuar me pagën mesatare, ky çmim është ndër më të shtrenjtit në Evropë.
Që prej privatizimit të distribucionit, KESCO ka fituar mbi 150 milionë euro. Në ditët e mira gjithë fitimi shkon për ta, kurse vështirësia më e vogël i faturohet qytetarëve me rritje të çmimit.
Shuma e parave të ndara nga Qeveria për të mbuluar KESCO-n arrin deri në 120 milionë. Paratë e buxhetit janë paratë e qytetarëve.