Përfundon punimet forumi rinor ndërkombëtar për punësim në Gjakovë
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë përmbylljen zyrtare të Forumit Rinor Ndërkombëtar për Punësim të Gjelbërt në Ballkan, i cili është mbajtur në këtë komunë për tri ditë me radhë.
Me këtë rast, të rinj nga Evropa Qendrore dhe Lindore, përfshirë ata nga Kosova dhe Shqipëria, janë certifikuar për pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje.
Gjini është shprehur i lumtur për organizimin e këtij forumi në komunën që ai drejton. “Jam shumë i lumtur që ky forum është mbajtur në Gjakovë. Shpresoj që keni kaluar mirë dhe që një ditë të ktheheni këtu me eksperienca të tjera”, ka thënë kryetari Gjini para të rinjve dhe të gjithë organizatorëve.
Qëllimi i gjithë forumit frankofon ishte që të rinjtë të sjellin ide dhe projekte të reja që stimulojnë rritje dhe zhvillim në aspektin ekonomik dhe social, duke reduktuar efektet e dëmshme mbi mjedis.