Përfundon punimet konferenca ndërkombëtare për ndryshimet klimatike dhe mjedisin në Kosovë
U mbajt konferenca e tretë ndërkombëtare, e organizuar nga Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ) e Universitetit të Prishtinës (UP), në bashkëpunim me aktivitetin Adapt të USAID-it në Kosovë, GIZ Kosova dhe Rrjetin CSR Kosova, me temën “Inovacioni për një të nesërme të qëndrueshme: Dialog mes institucioneve akademike, industrisë dhe qeverisë.”
Konferenca dyditore ofroi një platformë për ndarjen e hulumtimeve, inovacioneve dhe praktikave më të mira për qëndrueshmërinë mjedisore dhe ndryshimet klimatike.
Konferenca u përshëndet nga prorektorja e Universitetit të Prishtinës, prof. Arta Basha-Jakupi, e cila shprehu angazhimin e UP-së, veçanërisht përmes Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri, në dialogun global për qëndrueshmëri dhe theksoi përkushtimin për të sjellë ndryshime reale përmes dijes dhe inovacionit.
Ajo vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit midis akademisë, industrisë dhe qeverisë, duke nënvizuar se “Inovacioni kërkon guxim dhe kreativitet për të menduar përtej normave dhe për të krijuar rrugë të reja”.
Drejtuesja e misionit të USAID-it në Kosovë, Eileen Devitt, theksoi se qeveria e ShBA-së kishte investuar mbi 13 milionë dollarë për zhvillimin e teknologjive dhe politikave për të zbutur ndikimet e ndryshimeve klimatike në Kosovë.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, vuri në dukje angazhimin e qeverisë për të zhvilluar politika klimatike, duke përfshirë përmirësimin e sistemit për monitorimin dhe verifikimin e gazrave serrë, si dhe modernizimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
Sebastian Leuschner, atashe për çështje klimatike në ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, përmendi mbështetjen e Gjermanisë për krijimin e skemës për auditorët e energjisë, duke theksuar rritjen e numrit të auditorëve në 226 profesionistë si një arritje e rëndësishme për Kosovën.
Prof. Majlinda Daci, drejtoresha e QEQ-it, theksoi se ndryshimet klimatike ishin një problem global që ndikonin ndjeshëm në Kosovë, ku përmbytjet dhe thatësirat po dëmtonin sektorët jetësorë, si bujqësia dhe burimet ujore. Edhe pse Kosova nuk e kishte nënshkruar marrëveshjen e Parisit, ajo ishte angazhuar për të arritur objektiva të rëndësishme për energjinë dhe klimën.
Në konferencë u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërsektorial për një tranzicion energjetik të drejtë, ku përfshihen sektorët privatë dhe civilë. Folësit diskutuan qasjet inovative për qëndrueshmëri, adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe financimin e transformimit të gjelbër.
Punimet e konferencës vazhduan me diskutime mbi strategjitë për biznes të qëndrueshëm dhe politikat për një të ardhme më të gjelbër.