Përfundon seanca e parë gjyqësore ndaj Salih Mustafës
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, pas më shumë se pesë orësh, ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohet për krime lufte.
Seanca të tjera në rastin e Mustafës pritet të mbahen më vonë gjatë këtij muaji.
Ky është gjykimi i parë që nis në Dhomat e Specializuara në Hagë, që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.
Prokurori i Specializuar, Jack Smith, gjatë fjalës hyrëse tha se përderisa rastet e tjera që do të dalin para kësaj gjykate, do të flitet për viktima të etnive të ndryshme, si shqiptarë kosovarë, serbë, romë, në rastin e Mustafës, sipas tij, të gjitha viktimat ishin bashkatdhetarët e tij, shqiptarë të Kosovës.
Sipas Prokurorisë së Specializuar “faji i vetëm” i disa viktimave ishte se ishin pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Smithi, gjithashtu ka lavdëruar Kosovën dhe popullin e saj për krijimin e Gjykatës Speciale dhe mbështetjen e këtij institucioni.
“Kjo gjykatë flet me krenari për përkushtimin e njerëzve në Kosovë për sundimin e ligjit. Njerëzit e Kosovës kanë qenë forca lëvizëse e zyrës tonë dhe këtij institucioni”, ka thënë ai.
Prokurori i Specializuar, Smith ka thënë se krimet e luftës nuk justifikohen.
“Kundërshtarët e kësaj gjykate përdorin shprehje si ‘lufta e pastër’. Si prokuror është përtej detyrës time të ju tregoj cila është luftë e pastër, por mund të them që krimet e luftës në një anë nuk i justifikon krimet në anën tjetër”, ka thënë Smith.
Ndërsa prokurori i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, Cezary Michalczu, ka thënë se viktimat ishin parë si “pengesë” e udhëheqësisë së UÇK-së.
Në anën tjetër, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa është deklaruat i pafajshëm për akuzat për krime lufte.
Për akuzat ndaj tij, Mustafa edhe më herët është deklaruar i pafajshëm. Por, edhe gjatë fillimit të seancën, gjykatësja e pyeti nëse ende qëndron ky deklarim i tij dhe Mustafa ka thënë: “Po, për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.
Pas përfundimit të fjalës hyrëse së Prokurorit të Specializuar, Salih Mustafa nuk është kthyer në sallën e gjykimit pasi kishte njoftuar avokatin e tij se nuk dëshiron të jetë në prezent gjatë gjykimit.
Gjykata Speciale ka bërë me dije se dy dëshmitarë në këtë proces do të dëshmojnë ndërmjet 20 dhe 28 shtatorit.