Përfundon sezoni për Martialin
Manchester Unitedi nuk do të mundë të llogarisë në sulmuesin e vet, Anthony Martial, për pjesën e mbetur të sezonit, për shkak të lëndimit që e pësoi ai në një ndeshje me Kombëtaren e Francës, ka konfirmuar trajneri Ole Gunnar Solskjaer.
Martial, 25-vjeçar, u paraqit për Francës kundër Ukrainës dhe Kazakistanit javën e kaluar, para se të pësonte lëndim në gju.
“Ta humbasësh Anthony për pjesën e mbetur të sezonit është shumë zhgënjyese. Nga Franca na patën thënë se nuk ishte serioze, por duket keq tani”, ka thënë Solskjaer.
Martial i ka shënuar shtatë gola për Unitedin në përgjithësi këtë sezon, por vetëm tri në 19 ndeshje në vitin 2021.
Unitedi nuk do të mundë të llogarisë as në mbrojtësin Eric Bailly në ndeshjet e ardhshme, i cili është infektuar me koronavirus. Skuadra e Solskjaer do të përballet me Granadan në çerekfinale të Ligës së Evropës në dy të enjtet e ardhshme, si dhe me Tottenhamin të dielën.