Përfundon stinori vjeshtor, Rahoveci dimëron në vendin e parë

20 dhjetor 2024 | 12:23
Me tri ndeshje të zhvilluara të enjten, ka përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Skuadrat favorite nuk kanë lejuar befasi. Kampioni dhe lideri i klasifikimit, Rahoveci, fitoi 43:33 ndaj Llapit në Podujevë. Arbios Mushkolaj i kishte 11 gola, ndërsa Mali Luzha dhjetë te “vreshtarët”. Nga dhjetë gola për Llapin i realizuan Blerton Hasani e Ardi Halili.
Besa Famgas fitoi në udhëtim ndaj Vushtrrisë me rezultat 50:29. Edonis Hajra i kishte 11 gola tek ekipi pejan, ndërsa nga tetë i realizuan Olsi Mulaj e Jon Vokshi.
Tetë gola për Vushtrrinë i kishte Egzon Ademi e shtatë Muhamet Hyseni.
Në Mitrovicë, Kastrioti fitoi ndaj Trepçës me rezultat 46:37. Yassine Henahen i kishte 11 gola për ferizajasit, derisa Gentrit Brahimi e Besnik Bytyqi i realizuan nga gjashtë. Amar Mujka i shënoi 16 gola për “xehetarët”, ndërsa 11 i kishte Ermir Smaka.
Rahoveci e ka përfunduar stinorin vjeshtor me 28 pikë. I ka fituar të gjitha 14 ndeshjet dhe dimëron në pozitën e parë. Besa Famgas e Kastrioti i kanë nga 22.
Pason Prishtina në vendin e katërt me 16 pikë. Vushtrria, Vjosa e Llapi i kanë nga tetë pikë në pozitat pesë, gjashtë e shtatë.
Trepça mbetet e fundit, pa pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar bashkëpunim më të…