Përfundon subvencionimi i faturave të energjisë elektrike
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në këtë muaj përfundon subvencionimi i faturave të konsumatorëve që kursejnë energjinë elektrike.
Nga kjo masë, e cila ka filluar në muajin shtator të vitit të kaluar, kanë përfituar rreth 200 mijë familje dhe janë kursyer 88 milionë euro nga importi, tha ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media, së bashku me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Nga ky muaj Qeveria e Kosovës ka subvencionuar faturat e konsumatorëve, të cilët kanë kursyer së paku 5 për qind të energjisë së konsumuar në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Këta konsumatorë kanë përfituar dyfishin e përqindjes së kursyer.
Murati tregoi se subvencionimi për tre muajit e parë (shtator, tetor, nëntor) janë paguar nga buxheti i Kosovës, ndërsa katër muajt e tjerë (dhjetor 2022, janar, shkurt, mars 2023) janë paguar nga fondet e Bashkimit Evropian në shumën prej 15 milionë eurosh.
Një pako tjetër lehtësuese për pagesën e faturave të energjisë, Murati tha se gjatë këtij viti do të jetë vetëm për familjet në nevojë.
“Do të ketë masa të tjera, që po ashtu janë të parapara me pakon mbështetëse të BE-së, janë 25 milionë euro të tjera për familjet në nevojë”, bëri të ditur Murati.
Në muajin shkurt Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje financiare në vlerë prej 75 milionë eurosh në kuadër të programit të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian.