Përfundon me sukses faza e parë e garës “Eureka 5”

17 dhjetor 2017 | 12:56

Ka përfunduar me sukses faza e parë e garës së inteligjencës “Eureka 5” që ka sfiduar dijen e 2000 nxënësve nga mbarë Kosova.

Gjimnazi “Hasan Nahi” në kuadër të Fondacionit për Arsim dhe Kulturë Atmosfera të shtunën organizoi edicionin e pestë me radhë Gara e Inteligjencës “Eureka 5”.

Në të gjithë Kosovën në shkollat e përcaktuara nga Komunat përkatëse të shtunën është mbajtur testi i fazës së parë të kësaj gare tashmë tradicionale të miratuar dhe të përkrahur nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë si dhe DKA-të (Drejtoritë Komunale të Arsimit) në të gjithë Kosovën.

Gara e inteligjencës “Eureka 5” ka sfiduar dijen e mbi 2000 nxënësve më të mirë nga e gjithë Kosova të përzgjedhur nga Klasat e 9-ta nga më se 26 komuna të ndryshme të Kosovës.

Në mesin e 2000 nxënësve ku ishin pjesëmarrës sot në këtë garë do të përzgjidhen 250 finalistë ku do të garojnë në fazën finale të garës “Eureka” e cila do të mbahet më 17 mars 2018, ora:11:00 në ambientin e Gjimnazit “Hasan Nahi” në Prishtinë.

“Qëllimi dhe synimi i organizimit të kësaj gare është që të gjithë bashkërisht t’i dalim për zot brezit të ri të vendit tonë duke i inkurajuar dhe motivuar për dijen dhe shkencën dhe njëkohësisht duke rritur cilësinë e arsimit ku llogaritet si investim më i mirë për një të ardhme më të ndritur dhe sigurt për atdheun tonë”, ka thënë Bashkim Çmega, drejtor i Gjimnazit “Hasan Nahi”.
Sipas kësaj, puna më e madhe që mund të bëhet në një vend është pikërisht përpjekja në fushën e arsimit. Një shoqëri që studion, mëson dhe këto që mëson i jeton të gërshetuara me vlerat kombëtare, atëherë ardhmëria e kësaj shoqërie është e shëndoshë”, ka thënë Çmega.

Ai njëherazi ka falënderuar MASHT-in dhe të gjitha Drejtoritë Arsimore për mbështetjen dhe seriozitetin e treguar në realizimin e këtij projekti prestigjioz dhe shumë të rëndësishëm.

Në këtë garë i jepet mundësia që çdo nxënësi nga klasat e 9-ta të garojë, të zhvillojë mënyrën e të kuptuarit, arsyetuarit dhe logjikuarit të tij dhe të zbulojë talentin e vet.

Rezultatet e fazës së parë të kësaj gare mbarëkombëtare priten të dalin të enjten me 21 dhjetor, ku do të shpallen 250 finalistë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekuipazhi i përbërë nga tre astronautë, me anijen kozmike të…