Përfundon sulmi i Iranit me raketa mbi Izrael. IDF: Do të hakmerremi
Sirenat paralajmëruese për sulme ajrore janë dëgjuar gjithandej nëpër Izrael pas sulmit me raketa balistike nga Irani.
Në një deklaratë të para pak minutave, ushtria izraelite njoftoi se sulmi ka përfunduar dhe se qytetarët në të gjithë vendin tani mund të largohen nga strehimoret dhe hapësirat e tyre të mbrojtura pas një vlerësimi të situatës.
IDF zotua se “do të ketë pasoja për këtë sulm”.
Nuk ka raportime për të lënduar pas breshërisë së raketave, tha shërbimi i ambulancës izraelite.
Sipas radios së ushtrisë izraelite, gati 200 raketa u nisën nga Irani drejt Izraelit.
Sakaq, Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris janë në takim me ekipin e tyre të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar sulmin ajror iranian ndaj Izraelit.
Presidenti Biden shkroi në rrjetin social X se “Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të ndihmuar Izraelin për t’u mbrojtur nga këto sulme dhe për të mbrojtur personelin amerikan në rajon”.
Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Harris e ndoqën sulmin e Iranit kundër Izraelit nga Dhoma e Situatave në Shtëpinë e Bardhë dhe po marrin raporte të përditësuara rregullisht nga ekipi i sigurisë kombëtare.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin diskutoi sot me ministrin izraelit të Mbrojtjes Gallant, para fillimit të sulmit me raketa nga Irani, rreth “pasojave të ashpra” që do të kishte Irani nëse sulmonte Izraelin.
Sipas zëdhënësit të Pentagonit Pat Ryder, Sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin gjatë bisedës telefonike me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të mirë gadishmërie për të mbrojtur personelin amerikan, aleatët dhe partnerët përballë kërcënimeve nga Irani dhe organizatat terroriste të mbështetura nga Irani dhe janë të vendosura që të parandalojnë ndonjë aktor që të shfrytëzojë tensionet dhe të zgjerojë konfliktin në rajon.”
Autoritetet izraelite njoftuan ndalimin e të gjitha fluturimeve nga dhe drejt aeroporteve izraelite. Një njoftim i ngjashëm për mbylljen e hapësirës ajrore ishte bërë pak më herët edhe nga Jordania.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, dëshmitarët thanë se panë të rrëzohen mbi hapësirën ajrore të Jordanisë disa nga raketat e nisura, ndërsa dhjetëra të tjera vazhduan lëvizjen drejt Izraelit.
Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se ka lëshuar disa dhjetëra raketa drejt Izraelit dhe se sulmi do të përsëritet nëse do të ketë një kundërpërgjigje nga Izraeli.
Alarmi për një sulm iranian ndaj Izraelit u dha pak orë para se ai të fillonte nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë
Sipas misionit iranian në OKB, nëse Izraeli do të kundërpërgjigjet, vala e ardhshme e sulmeve nga Irani do të jetë “shkatërrimtare”.