Përfundon takim Kurti-Mustafa, nuk ka marrëveshje për bashkëqeverisje
Ka përfunduar takimi në mes të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, por pa ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisje në mes të këtyre dy partive politike.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se me Mustafën nuk janë marrë veshë për marrëveshje, por sipas tij ka avancim të diskutimeve.
Ai ka thënë se kurdo që ta arrihet marrëveshja do ta shpalosin gjerë e gjatë. Kurti ka thënë se do të jetë në kontakt të drejtpërdrejt me Mustafën për ta mbajtur takimin e radhës, raporton “Epoka e re”.
Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se me Kurtin ka pasur një bisedë përmbajtjesore.
Sipas Mustafës pa biseda të tilla është vështirë të arrihet marrëveshja për bashkëpunim.
Ai ka thënë se kanë pasur pajtueshmëri sa i prekët programit qeverisës.
Mustafa ka thënë se me Kurtin do të punojnë që të arrijnë një përfarim të çështjeve që janë të hapura në mes të këtyre partive sa i takon bashkëqeverisjes.
“Sot nuk ka marrëveshje për koalicion. Ka marrëveshje që të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë dhe të hulumtojmë rrugë që të përafrohemi me qëndrime”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se për dallime do të flasin kur t’i përafrojnë qëndrimet.
Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar se të hënën do të arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje me LDK-së.
/Epoka e re/