Përfundon takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së, s’ka vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë

15 tetor 2019 | 18:23

Ka përfunduar takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në Luksemburg.

Në këtë takim nuk është arritur pajtim për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në fund të takimit, ministrja e Jashtme e Finlandës, Tytti Tuppurainen, ka thënë se në mbledhje është vlerësuar se Shqipëria nuk mund të trajtohet e ndarë nga Maqedonia e Veriut.

“Vlerësuam që ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nuk është e duhur. E vetmja gjë që mundëm të arrijmë është që KE do të kthehet mbi këtë çështje. Besojmë që KE do të marrë vendim pozitiv për çështjen e integrimit për të dy vendet”, ka thënë ministrja finlandeze.

Ndërsa, komisioneri për Zgjerim në largim i BE-së, Johanes Hahn ka thënë se 25 vende janë shprehur pro hapjes së negociatave të të dy vendeve, ndërsa nuk janë bindur ende Franca dhe Holanda.

“Nuk arritëm të gjejmë një marrëveshje, kam luftuar për ta bërë të mundur, ekipi ynë është i angazhuar. Edhe nëse largohem nga kjo detyrë, angazhimi do të jetë i vazhdueshëm. Shpresojmë t’i bindim të tjerët, sepse po flasim për diçka jetësore. Unë nuk kam asnjë ndjenjë negative, por procesi është i bazuar në meritë dhe ata i kanë plotësuar kushtet dhe ne duhet të plotësojmë kushtet tona, por nuk e bëmë këtë. 25 vende janë në favor të integrimit”, u shpreh Hahn.

Hahn i kërkoi falje qytetarëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që ende nuk është arritur një vendim i dakordësuar për ta.

Hahn ka thënë se këto dy vende i kanë përmbushur kërkesat.

“I kërkoj falje qytetarëve të dy vendeve që nuk arritëm të binim dakord. Procesi është I bazuar në merita dhe këto dy vende i kanë realizuar kërkesat”, ka deklaruar Hahn.

Takimi i ministrave të Jashtëm në Luksemburg i paraprin takimit që krerët e shteteve mbajnë më 17 dhe 18 tetor në Bruksel, ku do të vendoset përfundimisht për të ardhmen e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me…