Përfundon takimi Kurti-Lajçak, zyra e kryeministrit jep detaje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim është bërë me dije se është biseduar për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjen konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimet e këtij procesi.
Kryeministri Kurti ka ritheksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, Kurti dhe Lajçaku kanë biseduar edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Kurti ka theksuar angazhimin e qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës së energjisë në katër komunat në veri të Kosovës.
“Në sajë të kësaj marrëveshje, pas më shumë se 20 vitesh, katër komunat në veriun e Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë. Me këtë marrëveshje, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.