Përfundon takimi Kurti-Mustafa, Konjufca thotë se ka avancim drejt arritjes së marrëveshjes
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë folur për media pas takimit Kurti-Mustafa që u zhvillua sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
As pas këtij takimi nuk ka arritje të marrëveshjes, por zyrtarët e këtyre dy partive kanë bërë me dije se ka avancim të bisedimeve.
Avdullah Hoti ka thënë se sot kanë pasur një takim të gjatë dhe mjaftë konstruktiv për marrëveshjen që pritet të arrihet mes dy subjekteve politike. “Jemi dakorduar që të vazhdojmë takimet në baza ditore”, ka thënë ai, raporton “Epoka e re”.
Ndërkaq Glauk Konjufca ka bërë me dije se në këtë takim janë diskutuar plotë mënyra të zgjidhjes së asaj që ka mbetur në gjysmë.
“Kemi bërë avancim të pozicioneve tona drejt një marrëveshje. U pajtuam që takimet tona të jetë më të shpeshta në të ardhmen. Nesër sërish do të takohemi dhe t’i vazhdojmë bisedimet”, ka thënë Konjufca.
Ai ka shtuar se takimi i nesërm nuk do të mund të caktohej sikurse pozicionet mos të afroheshin mes këtyre dy partive. “Pra po shoh se ka një gatishmëri prej të dyja palëve që marrëveshja të arrihet”, ka thënë Konjufca.
/Epoka e re/