Përfundon takimi me zyrtarët e lartë amerikanë, Osmani: Folëm për urgjencën e dialogut
Tashmë ka përfunduar takimi mes presidentes Vjosa Osmani dhe zyrtarëve të lartë amerikanë, Karen Donfried dhe Gabriel Escobar.
Ky takim u mbajt në zyrën e Presdencës së Kosovës, ndërsa tani në po këto hapësira po mbahet dhe një adresim për media nga presidentja Vjosa Osmani dhe ndihmëssekretarja Karen Donfried lidhur me mbarëvajtjen e këtij takimi.
Presidentja Vjosa Osmani doli në konferencë për media me Ndihmës Sekretaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried pas takimit me delegacionin amerikan në Presidencë.
Osmani tha se në takim i diskutua edhe urgjenca e dialogut me Serbinë, raporton Ekonomia Online.
“Natyrisht që ne sot gjithashtu diskutuam për urgjencën dhe nevojën për progres në procesin e dialogut, gjithnjë të përqëndruar në njohjen reciproke”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se në takim ka thënë se Kosova është e përkushtuar në këtë proces.
“E ritheksova se Kosova është dhe vazhdon të jetë palë në dialog dhe se mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi i cili e ka në qendër njohjen reciproke dhe nga i cili do të përfitojnë përfundmisht qytetarët”, tha ajo.