Përfundon trajnimi ‘Përcaktimi i zonës së aterrimit të helikopterit’
Në Qendrën e Trajnimit për Kërkim Shpëtim (QTKSH) të Rexhimentit të Mbrojtjes Civile (RMC), në kazermën “Evropianët e rinj” në Pomozatin është mbajtur ceremonia e certifikimit të kursit “Përcaktimi i zonës së aterrimit të helikopterit”.
Shef i Shtabit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile, nënkolonel Shpend Zogaj u shpreh shumë i kënaqur që Qendra e Trajnimit po arrin të përmbushë gradualisht vizionin për një Qendër me perspektivë rajonale dhe më gjerë.
Në këtë trajnim u trajtuan tema që lidhen me aerodinamikën dhe funksionimin e helikopterëve. Në veçanti, studentët u njoftuan me kriteret e përzgjedhjes së një zone të përshtatshme për aterrim të helikopterëve, me komandat dhe sinjalet e komunikimit me pilotin para aterrimit, si dhe mënyrën e evakuimit mjekësor duke përdorur formatin e kërkesës së quajtur “NATO nëntë linjat”.
Po ashtu, studentët mësuan parimet themelore të bartjes së viktimave me helikopter.
Pjesë kyçe të këtij trajnimi ishin njohuritë e sjella nga pilotet e FSK-së, togerit Afrim Zabeli, Krenar Voca, Atdhe Hasani nga Komanda e Forcave Tokësore. Ata me ekspertizën e pilotimit të helikopterit sollën njohurit e tyre të dobishme rreth aerodinamikës së fluturakeve – helikopterëve. Gjithashtu, oficerët pilotë, në detaje ofruan njohuritë e tyre rreth procedurave që duhet ndjekur për të përcaktuar një zonë për aterrim të helikopterit.
/Epoka e re/