Përfundon vizita e prindërve të Thaçit në Hagë, flet babai: Po na merr malli, ata e kanë vendin në Kosovë
Ka përfunduar vizita e prindërve të ish-presidentit Thaçi në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Pas daljes nga Njësia e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara, babai i ish-presidentit Thaçi u shpreh i lumtur që e pa sërish djalin e tij, duke potencuar se po i mungojnë shumë vendit.
“Jemi të lumtun që na u dha rasti me ardh, me pa djalin tonë, Hashimin. Na ka marrë malli për të. Na merr malli, se jemi mësu me pa shpesh. Na mungon djali. Na mungojnë krejt shokët e tij. I mungojnë venit, Kosovës”, tha ai.
Babai i ish-presidentit Thaçi, Haxhi Thaçi ndër të tjerash uroi që djali i tij të kthehet në Kosovë.
“Ishalla nuk shkon gat e kthehen tanë, jo veç djali jonë, po krejt këta shokët këtu, kthehen n’shpi të veta, qaty ku kanë punu shumë për qat Kosovë mu ba e lirë e shtet i pamvarun. I presim na familja me u kthy sa ma shpejt, i pret krejt shqiptaria. Ata e kanë venin n’Kosovë e jo këtu”, ka thënë ai.
Ndryshe, vizita e parë dhe e vetme e prindërve të Thaçit në Hagë ishte më 8 qershor 2022.
Më 21 maj, është një prej seancave më të rëndësishme të procesit gjyqësor në rastin ‘Thaçi dhe tjerët’, ku pritet të rishqyrtohet edhe kohëzgjatja e gjykimit dhe numri i dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.