Përfunduan garat e Kuranit në nivel të medreseve të Ballkanit
Garat e Kuranit në nivel të medreseve të Ballkanit, të cilat u mbajtën nën patronazhin e kryetarit të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Myftiut Naim Tërnava, dhe të organizuara nga Medreseja e Mesme “Alauddin”, kanë përfunduar të dielën.
Në këtë eveniment përmbyllës përpos Myftiu Naim ef. Tërnava, me bashkëpunëtorë, morën pjesë kryetarë të këshillave të BI-së, përfaqësuesi i Dijanetit nga Turqia, Arabia Saudite, Shqipëria, Sanxhaku, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria, Bosnja, dhe shumë mysafirë të tjerë.
Në këto gara morën pjesë nxënës dhe nxënëse të medreseve të Ballkanit nga Kosova, Shqipëria, Turqia, Bosnja, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria dhe Sanxhaku, ku patën rastin të shfaqin talentin dhe performancën e tyre në leximin-këndimin e Kuranit. Kjo është gara e dytë që u organizua në nivel ballkanik dhe nga të gjithë pjesëmarrësit u falënderuan BIRK-ut, Myftiut Tërnava dhe Medreses si nikoqire për këtë organizim.
Në përmbyllje të kësaj gare mori fjalën Myftiu Tërnava duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë dhe jurinë tejet profesionale të këtyre garave.
Ai ka theksuar se ishte një garë e fortë dhe nuk ka asnjë humbës.
Tërnava është shprehur i mahnitur me paraqitjen dhe leximin e këtyre nxënësve, të cilët janë argument i qartë se islami në këto troje është i fortë dhe i qëndrueshëm, dhe që sipas tij, myslimanët kanë identitet me të cilin krenohen.
Ai po ashtu ka falënderuar Abdullah Gari, drejtor i Zyrës Rajonale të Organizatës së Ligës së Botës Islame (Rabita) dhe drejtorin gjeneral të Ligës së Botës Islame Muhamed Alisa për ndihmën e ofruar për mbajtjen e këtyre garave.
Tërnava ka falënderuar edhe drejtorin e Medresesë Jakup Çunaku dhe stafin e tij për këtë organizim shumë të mirë të garave kuranore.
“Ky nivel i garave do të vazhdojë por unë bashkë me kolegët e mi bashkërisht do të shqyrtojmë mundësinë që të organizojmë gara të nivelit evropianë apo edhe atij botëror. Kosova do të jetë një vend ku do të përkundet Kurani, rritet dhe në këto gara do të marrin pjesë lexuesit më të mira nga bota ku do të garohet për fjalën e Zotit, dhe kjo më jep fuqi që me tërë potencialin tim që kam të sigurojmë mundësinë që bashkërisht t’ia dalim”, është shprehur Tërnava
Drejtori i Medresesë “Alauddin”, Jakup Çunaku, në fjalën e tij përmbyllëse ka falënderuar pjesëmarrësit në këtë garë, si dhe ka falënderuar edhe shkollat të cilat kanë dërguar nxënësit në garën uranore, duke theksuar porosinë kuranore “bashkëpunoni në punë të mira dhe të mbara..”.
Edhe ky organizim i sivjetmë, që llogaritet i dyti i këtij lloji niveli në historinë e Medresesë “Alauddin”, është në vazhdën e bashkëpunimit të mirë e të ndërsjellë ndërmjet medreseve të mesme të Ballkanit.
Çunaku ka falënderuar anëtarët e komisionit vlerësues, të cilët bën një punë shumë të mirë dhe kryen me përpikëri këtë përgjegjësi. “Vlerësoj se këto gara ishin të suksesshme vetëm për faktin se jemi tubuar për herë të dytë me tetë medrese të ndryshme nga Ballkani dhe ky tubim ka peshë dhe rëndësinë e vet ku jemi njohur edhe më shumë me njëri-tjetrin”, ka deklaruar Çunaku.
Në këto gara morën pjesë gjithsej 40 garues nga tetë vende të Ballkanit, të cilët testuan memorizimin dhe leximin e bukur të tyre, përballë një komisioni profesional në përbërje të: Hfz. Safet Hoxha (Kosovë), Hfz. Etem Alanka (Turqi), Abdullah Al-Muhib (Siri), Hfz. Aziz Alili (Kroaci) dhe Dr. Emjed Saadeh (Jordani).
Fituesit e tri vendeve të para në nivelin e garës për lexim të lirë të meshkujve janë: 1. Ahmed Shadinlija (Bosnjë), 2. Mahmud Enes Alpsumer (Turqi) dhe 3. Miraxh Islami (Kosovë).
Ndërsa fituesit e tri vendeve të para në nivelin e garës për lexim të lirë të femrave janë sipas kësaj radhitjeje: 1. Rejhana Ukperaj (Shqipëri) dhe 2. Firesa Gollaku (Kosovë).
Në garën për hifz të xhuzit të 30-të në kategorinë meshkuj fituan: 1. Muhamet Vehap (Bosnjë), 2. Eronit Hajdari (Kosovë) dhe 3. Amin Sula (Shqipëri).
Kurse për femra në këtë kategori fitues janë: 1. Nexhla Zukorliç (Sanxhak)
2. Rejhane Murati (Kosovë) dhe 3. Naida Doiç (Kroaci).
Në garën për tri xhuza në kategorinë meshkuj fituan: 1. Lind Gralleva (Kosovë),
2. Abdurrahman Abdulmenan (Bosnjë) dhe, 3. Alen Bala (Shqipëri).
Ndërsa për femra në këtë kategori fitues janë: 1. Anisa Dërguti (Kosovë), 2. Sumeja Destanoviç (Sanxhak) dhe 3. Rejhana Ukperaj (Shqipëri).
Në garën për hifz (memorizimit të Kuranit) në 5 xhuza në kategorinë meshkuj fituesit janë: 1. Bilal Hamidoviç (Bosnjë), 2. Ubejd Ademi (Kosovë) dhe 3. Mustafa Xhan Agirbash (Turqi).
Ndërsa për femra në këtë kategori fitues janë: 1. Amire Dërguti (Kosovë) dhe 2. Emina Zukorliç (Sanxhak).
Po ashtu duhet theksuar se të gjithë drejtorët e medreseve ballkanike pjesëmarrëse në këtë garë falënderuan myftiun Tërnava për këtë organizim kaq madhështor e të suksesshëm që u vlerësua nga ta se vërtetë nuk dallonte nga organizimet e rangjeve botërore të garave kuranore.
Në fund iu dhanë mirënjohje dhe fletfalënderime për përfaqësuesin e Ligës Botërore Islame, të medreseve pjesëmarrëse, anëtarëve të komisionit vlerësues, si dhe shpërblimet fituesve të këtyre garave.
Krejt në fund, për pjesëmarrësit e kësaj gare u organizua një vizitë nëpër Kosovë.
/Epoka e re/