Përfunduan tri ndeshjet e Superligës
Sot janë zhvilluar tri ndeshje të javës së 32-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Drita ka shënuar fitore ndaj Feronikelit me rezultat 3:1 falë golave të Festim Alidemës, Astrit Fazliut dhe Xhevdet Shabanit. Për mysafirët realizoi Marko Simonovski.
Ndeshja më dramatika nga të trija ishte ajo mes Arbërisë dhe Gjilanit, që në fund u fitua nga mysafirët me rezultat 3:4.
Musolli e nisi festivalin e golave qysh në minutën e katërt duke kaluar Gjilanin në epërsi, ndërsa nuk vonoi shumë dhe Cesar Santos barazoi.
Në minutën e 20-të Almir Kryeziu kaloi vendasit në epërsi, për t’u barazuar pastaj nga Progni me një supergol.
Në minutën e 52-të, Kreshnik Bahtiri e kaloi sërish Arbërinë në epërsi, por minutat e fundit ishin fatale për ekipin nga Dobraja e Madhe e Lipjanit.
Fillimisht Progni realizoi në minutën e 86-të, kurse tre minuta më vonë Shend Kelmendi ia solli fitoren ekipit të Ismet Munishit.
Ndeshja e tretë ishte ajo mes Trepçës’89 dhe Besës e cila u mbyll me barazim 1:1.