Përgatitnin shitjen e një toke në vlerë rreth një milion euro, arrestohen dy persona
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit më datë 04.07.2022, kishte siguruar informata lidhur me kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ku një person i dyshuar ka ndryshuar dokumentin origjinal, letërnjoftimin e shtetit të Serbisë, duke vendosur fotografinë e vetë në letërnjoftim të personit tjetër gjithashtu nga Serbia, duke e shfrytëzuar dhe pretenduar shitjen e disa pronave në zonën kadastrale në komunën e Suharekës.
Sot janë arrestuar dy persona të dyshuar me iniciale: S.M. femër (1971)dhe H.I. mashkull (1979), nën dyshimin se në bashkëkryerje dhe me dashje kanë kryer veprën penale ‘Falsifikim i dokumenteve’.
Policia ka njoftuar se i dyshuari në fjalë pasi ka falsifikuar letërnjoftimin e pronarit legjitim të pronave në këtë zonë, më pas ka autorizuar të dyshuarën me iniciale (S.M), që e njëjta të vazhdoj me shitjen e pronave së bashku me personin (H.I.) i cili ka shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, ku sipërfaqja e pronave që kanë pretenduar t’i shesin arrin afërsisht dhjetë (10) hektar, në vlerën aktuale përafërsisht rreth një milion Euro, por kjo është ndaluar duke i arrestuar të dyshuarit e lartcekur në flagrancë, falë angazhimeve dhe punës se përbashkët të Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, me Institucionet e lartcekura.
Dy personat e dyshuar (S.M.) dhe (H.I.) janë intervistuar në prezencë të mbrojtësve të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe përkthyesit, dhe pas intervistimit të njëjtëve me Aktvendim të Prokurorit të Shtetit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në komunikatën e PK-së thuhet se hetimet lidhur me këtë rast do të vazhdojnë në drejtim të arrestimit të personit të tretë të dyshuar dhe eventualisht personave tjerë të përfshirë në këtë rast.