Përgjaket Dardan Molliqaj
Partia Socialdemokrate sot ka zhvilluar një aksion simbolik për të penguar konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila po qëndron për vizitë në Kosovë.
Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e kësaj partie, Dardan Molliqaj dhe aktivistet Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi.
Sipas PSD-së, Policia e Kosovës gjatë arrestimit ka përdorur dhunë jashtëzakonisht të madhe ndaj aktivistëve duke i lënduar ata.
Në fotot e publikuar shihet se Dardan Molliqaj është gjakosur në fytyrë gjatë arrestimit.
Njoftimi i plotë I PSD-së:
Sot, përgjatë raportimit të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, aktivistë të PSD-së, Lisjan Perolli dhe Bardh Ahmeti, zhvilluan aksion simbolik për të penguar rilegjitimimin e Gjykatës Speciale në misionin e saj për të tjetërsuar luftën çlirimtare të UÇK-së. Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës përdori dhunë jashtëzakonisht të madhe ndaj aktivistëve duke i lënduar dhe i arrestuar ata.
Gjykata Speciale është e padrejtë, prandaj ajo nuk mund të sjellë drejtësi. Si e tillë, nuk mund të lejojmë asesi që të rilegjimitohet në qetësi teksa tjetërson historinë tonë.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi të cilët u arrestuan gjatë aktivitetit sot.