Përgjegjësia para ligjit e njëjtë për të gjithë, jo përgjegjësi selektive!
Reagim i KMDLNj-së
Kohëve të fundit ka më shumë raste kur gazetarët po pengohen në kryerjen e punëve të tyre sikur që është një vullnet më i madh për t’iu siguruar kushte më të mira dhe më të sigurta për punë. Përshkallëzimi i dhunës kundër gazetarëve ishte shprehur sidomos në komunat e veriut të Kosovës në të cilat KFOR -i mori edhe përgjegjësi policore por se dështoi t’i merrte në mbrojtje gazetarët të cilët me të gjitha mjetet e mundshme u penguan. Pati disa arrestime në rast kur u identifikuan penguesit dhe sulmuesit e gazetarëve, mirëpo, pastaj thuaja të gjithë u liruan, ende pa përfunduar procedurat.
KMDLN-ja edhe më parë ka kërkuar që gazetarët të kenë një mjedis të sigurt për punën e tyre në përmbushjen e misionit për informim të drejtë dhe profesional për ngjarjet që paraqesin interes për publikun, gjithnjë duke iu përmbajtur kodeksit gazetaresk e që jo gjithherë veprojnë në përputhje me këtë rregull të shkruar dhe të pashkruar.
Rasti i fundit që ndodhi në Prizren kur u pengua ekipi i gazetës “Nacionale” u monitorua nga KMDLNj-ja sikur që edhe u dëgjua edhe incizimi midis gazetarit të “Nacionales“ dhe personit që pastaj u arrestua. Nëse është përgjegjësi, e është përgjegjësi për të siguruar kushte dhe mjedis për punë të papenguar të mediave, edhe mediet kanë përgjegjësi ta respektojnë palën tjetër që nuk e ndanë mendimin me këto media.
Liria e shprehjes dhe liria e veprimit nuk është privilegj vetëm për njërën palë dhe ajo nuk mund të zbatohet në mënyrë selektive sepse, nëse ndodhë kështu atëherë po e shkelim universalitetin e të drejtave të njeriut duke i zbatuar këto të drejta në mënyrë selektive.
Pas ngjarjes në Prizren, ishte një përshkallëzim i fjalorit edhe i atyre që duhet dhe i mbrojnë të drejtat e gazetarëve. Kishte deklarata se “duhet të arrestohet ai kriminel (penguesi i punës së gazetarit në fjalë), se ende nuk qenka arrestuar “ai kriminel”, se duhet të arrestohen edhe policët që nuk i mbrojtën gazetarët etj, etj,.
Për KMDLNj-në, ky fjalorë paragjykues dhe akuzues, ende pa filluar hetimet apo pa përfunduar gjykimi, nuk është asgjë tjetër përveç ndërhyrje flagrante në punën e organeve të ndjekjes dhe atyre gjyqësore. Edhe gjykata përkatëse në vendimin që e merr, qoftë edhe dënues, nuk e përdorë cilësimin kriminel dhe kush i jep të drejtë një gazetari, aktivisti për të drejtat e njeriut apo të drejtat e gazetarëve që të përdorë këtë cilësim pas së cilës thuaja të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë bien nën ndikim të këtij shantazhimi publik dhe marrin vendime, që KMDLNj-në e vlerëson se janë në kundërshtim me nevojat aq më parë që mund të marrin ndonjë masë alternative që është në përputhje të plotë me natyrën dhe rrezikun e veprës.
Në rastin e Prizrenit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve për një të ndaluar sikur që ishte pezulluar për 72 orë një oficer policie për shkak të mosveprimit. Cili oficer Policie ishte suspenduar në komunat e Veriut të Kosovës për shkak të mosveprimit ndonëse sulmet ndaj gazetarëve ishin shumë të të ashpra dhe më të rrezikshme.
Për KMDLNj-në ky është rast tipik i zbatimit të standardeve të dyfishta dhe rënie absolute nën ndikimin e presionit të publikut gjatë marrjes së vendimeve. KMDLNj-ja edhe më herët ka reaguar kundër presionit publik në raste të shqiptimeve të rënda (sidomos me burg të përjetshëm) ndaj prokurorëve dhe gjykatave e që nuk ndodhë në vendet ku mirëfilli sundon ligji. Te ne presioni dhe ndërhyrja në punën e gjyqësorit fillon kryesisht nga kreu më i lartë politik për të vazhduar pastaj edhe në nivele tjera.
KMDLNj-ja ka reaguar në të gjitha rastet kur gazetarët janë sulmuar apo penguar në kryerjen e përgjegjësive për informim të drejtë, objektiv dhe profesional duke kërkuar që edhe gazetarët t’i përmbahen mandatit të tyre. Në rastin e Prizrenit
KMDLNj-ja kërkon hetime për pengimin e punës së gazetarit ndonëse askush nuk po reagon në mbrojtje të të drejtave dhe lirive fetare që janë garantuar me ligj e që paraqet, pa asnjë dyshim një qasje selektive në trajtimin e këtij rasti. Të drejtat e njeriut janë të pandashme dhe të njëjta për të gjithë, çdo përjashtim nga këto të drejta që iu takojnë me lindje është zbatim i standardeve të dyfishta e kjo pikërisht, sipas KMDLNj-së dhe nga aspekti i të drejtave të njeriut është i diskutueshëm.
KMDLNj-ja me kujdes do ta përcjellë këtë rast dhe do të reagojë ekskluzivisht në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, pa e paragjykuar rastin duke besuar në zbatimin e ligjit për të gjithë, pa diskriminim.