Përgjegjësinë për mospajtim rreth dialogut e kanë PDK-ja dhe LDK-ja
Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka kritikuar pozitën dhe opozitën për qasjen e tyre ndaj procesit të dialogut me Serbinë. Ai ka deklaruar se përgjegjësinë më të madhe në këtë drejtim e kanë PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat nuk po e gjejnë një gjuhë të përbashkët për këtë çështje. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Maliqi ka deklaruar se këto dy subjekte politike do të duhej ta gjejnë mënyrën e pajtimit rreth një platforme minimale të interesit kombëtar që do të afatizohej për disa muaj. “Mendoj se pjesën më të madhe të përgjegjësisë e kanë dy partitë kryesore, PDK-ja dhe LDK-ja, që as në këto çaste kritike nuk po e gjejnë mënyrën e pajtimit rreth një platforme minimale të interesit kombëtar që do të afatizohej për disa muaj, pra për periudhën e fazës finale të dialogut kur ka gjasa të arrihet marrëveshja politike me Serbinë”, ka thënë Maliqi.
Ai ka bërë me dije se në këtë pajtim të dy subjektet politike do të mund ta caktonin edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme. “Me këtë pajtim të dy partive do të mund të caktohej edhe data e zgjedhjeve të parakohshme, diku në pranverë të vitit 2019, kur edhe BE-ja i ka zgjedhjet. Zgjedhjet janë të domosdoshme në të dy rastet, edhe nëse arrihet marrëveshja me Serbinë, edhe nëse ajo dështon dhe Kosova bëhet sfidë edhe më e madhe për BE-në”, është shprehur Maliqi.
Ai ka vlerësuar se çfarëdo që të ndodhë me këtë proces, përgjegjësinë do ta kenë pozita dhe opozita. “Çfarëdo që ndodh sonte dhe nesër, është e qartë se kemi të bëjmë me papërgjegjësinë dhe joseriozitetin e të dyja palëve, edhe të pozitës, edhe të opozitës. Në të vërtetë, është edhe instanca e tretë, Presidenca, që ka qenë ‘molla e sherrit’ dhe me hapësirë të kufizuar manovruese, por që ka mundur të jetë më kërkuese dhe fleksibile në propozimet e zgjidhjeve, ose që të mos e komplikojë edhe më shumë punën duke propozuar ‘korrigjimin’ e kufirit”, ka thënë Maliqi.
Ai ka folur edhe për ekipin negociator të Qeverisë, duke thënë se ky është një veprim i vonuar i ekzekutivit. Maliqi ka treguar edhe për punën që duhet ta bëjë ky ekip. “Ekipi do të duhej të ishte instancë permanente konsultuese gjatë dialogut që reprezanton Kuvendin dhe shoqërinë dhe siguron konsensus paraprak për propozimet kompromise që arrihen gjatë dialogut, por që definitivisht i vulos Kuvendi, ose aprovohen me referendum”, është shprehur analisti Maliqi.
“Epoka e re”: Z. Maliqi, pak ditë para takimit të radhës në mes të Thaçit dhe Vuçiqit, Qeveria e Kosovës i ka propozuar Kuvendit ekipin negociator. Si e keni parë këtë veprim të Qeverisë?
Maliqi: Bëhet fjalë për një veprim që vjen vonë, shumë vonë. Është bërë gati një vit që flitet për nevojën që të ketë ekip të unitetit, kurse kjo tani bëhet në shpejtësi, praktikisht kur koha është duke rrjedhur – shahistët i thonë cajtnot. Çka është edhe më keq, kjo po ndodh në rrethana konfuze dhe konfrontimesh të brendshme politike, ku opozita me hamendje kërkon mënjanimin e presidentit nga dialogu pa e ditur nëse e ka votën e mjaftueshme në Kuvend, kurse koalicioni qeveritar edhe ai kthjellet në momentin e fundit dhe kërkon kundërseancën e Kuvendit për legjitimimin e një ekipi gjysmak për dialog që e shpëton presidentin, por edhe eviton rrëzimin e Qeverisë. Në momentin kur po zhvillojmë këtë bisedë sërish shtyhet seanca e Kuvendit për më vonë dhe nuk dimë se çka do të ndodhë sonte.
“Epoka e re”: Me këtë ekip Qeveria do ta ndihmojë presidentin Thaçi apo do ta kufizojë atë në dialogun me Serbinë?
Maliqi: Ekipi do të duhej të ishte instancë permanente konsultuese gjatë dialogut që reprezanton Kuvendin dhe shoqërinë dhe siguron konsensus paraprak për propozimet kompromise që arrihen gjatë dialogut, por që definitivisht i vulos Kuvendi, ose aprovohen me referendum.
“Epoka e re”: Opozita e ka kritikuar këtë veprim të Qeverisë duke e braktisur seancën parlamentare në të cilën pritej të votohej ekipi negociator. A është kjo rruga e duhur të cilën e ka zgjedhur opozita?
Maliqi: Çfarëdo që ndodh sonte dhe nesër, është e qartë se kemi të bëjmë me papërgjegjësinë dhe joseriozitetin e të dyja palëve, edhe të pozitës dhe të opozitës. Në të vërtetë, është edhe instanca e tretë, Presidenca, që ka qenë ‘molla e sherrit’ dhe me hapësirë të kufizuar manovruese, por që ka mundur të jetë më kërkuese dhe fleksibile në propozimet e zgjidhjeve, ose që të mos e komplikojë edhe më shumë punën duke propozuar ‘korrigjimin’ e kufirit.
“Epoka e re”: Po ashtu, opozita ka ftuar një seancë tjetër, në të cilën pritet t’i kufizohet presidentit e drejta për të negociuar për kufij me Serbinë. Duke i parë këto qëndrime të subjekteve politike, e shihni të mundshme arritjen e një konsensusi kombëtar për këtë çështje?
Maliqi: Mendoj se pjesën më të madhe të përgjegjësisë e kanë dy partitë kryesore, PDK-ja dhe LDK-ja, që as në këto çaste kritike nuk po e gjejnë mënyrën e pajtimit rreth një platforme minimale të interesit kombëtar që do të afatizohej për disa muaj, pra për periudhën e fazës finale të dialogut, kur ka gjasa që të arrihet marrëveshja politike me Serbinë. Me këtë pajtim të dy partive do të mund të caktohej edhe data e zgjedhjeve të parakohshme diku në pranverë të vitit 2019, kur edhe BE-ja i ka zgjedhjet. Zgjedhjet janë të domosdoshme në të dy rastet, edhe nëse arrihet marrëveshja me Serbinë, edhe nëse ajo dështon dhe Kosova bëhet sfidë edhe më e madhe për BE-në.
Muhamet KOCI