Përgjigje ndaj një reagimi të Mehmet Krajës
Kam qenë i përjashtuar në mënyrë të heshtur nga çfarëdo angazhimi
Milazim KRASNIQI
Një koment imi i shkurtër në fejsbuk, ndonëse i bërë pastaj “lajm” nga “Epoka e re”, bezdisshëm paskësh marrë vëmendjen e kryeradaktorit të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, Mehmet Krajës. Reagimin ka mundur ky burri të jipte sqarimin e vet me pak fjalë, si postim e në të njëjtin medium, pa bërë hyxhym të shpërndante fletërrufenë e tij në mediumet e tjera.
Megjithë zhurmën që ka bërë, në reagimin e tij nuk ka shpjeguar asgjë për atë që kam deklaruar unë. Unë nuk kam thënë se nuk kam qenë anëtar redaksie për informimin, nuk kam thënë që nuk kam qenë aktiv në fillim, nuk kam thënë që nuk e kam marrë atë honorar, nuk kam thënë që jam tërhequr nga angazhimi. Qartësisht kam thënë: “kam qenë i përjashtuar në mënyrë të heshtur nga çfarëdo angazhimi. “Nëse kryeredaktori nuk ka qenë në dijeni, kjo është çështje e menaxhimit të keq të tij. Logjikisht, kryeredaktori do të duhej ta kishte pamjen e plotë për angazhimin e secilit anëtar, në secilën redaksi.
E dyta, është e kuptueshme se ka vështirësi dhe ndodhin edhe gabime në projekte të tilla, veçmas në raste si ky i këtij Fjalorit, i cili është udhëhequr nga personi që nuk ka fare formim akademik. Megjithkëtë, gabimet duhet të evidencohen, të pranohen e të korrigjohen, e jo të fshehen, apo edhe të arsyetohen, duke sulmuar mbarë e prapë, secilin që thotë një fjalë. Kujdestaria që bën Kraja mbi gabimet dhe mbi jokompetencën e vet, vetëm i zbulon më shumë edhe kredencialet e ulëta morale të tij.
Përfundimisht i përmbahem asaj që kam thënë: kur ka hyrë puna në procesin e përgatitjes konkrete të konceptit dhe të zërave të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, “kam qenë i përjashtuar në mënyrë të heshtur nga çfarëdo angazhimi.” Ky fakt nuk ndryshon. Arsyet nuk i di as sot.
Meqë Kraja ka vënë theksin te paratë, në stilin e tij të moçës denoncues, ia jap një ofertë ASHAK-ut dhe atij: nëse më kërkojnë falje që ma kanë mbajtur emrin në redaksi, ndonëse më kanë përjashtuar nga procesi i redaktimit, unë ua kthej honorarin, deri në centin e fundit. Bile pa pyetur se sa mijëra euro merr Kraja, viti pas viti,e jo një honorar të vogël në disa muaj, ndonëse nuk bën punë shkencërisht e shoqërisht të vlefshme e të dobishme. Fjalori Enciklopedik është dëshmi e hidhur. (13 janar 2019)