Përgjigjja nuk ishte libri

09 qershor 2024 | 22:23

Berat Armagedoni

Edicioni i 24-t i Panairit të Librit “Prishtina 2024” përfundoi sot. Fjalët dhe fjalitë më poshtë nuk do t’u pëlqejnë aspak organizatorëve. Fjalët më poshtë nuk do t’u pëlqejnë as botuesve. As autorëve. As lexuesve. As udhëheqësve të institucioneve. Asnjë njeriu normal. S’do të duhej t’i pëlqenin as ministrit të Kulturës. Meqë konsideroj se njeri normal jam dhe unë, nuk më pëlqejnë as mua. Megjithatë, duhet thënë nga unë, kush të dojë edhe ta pranojë, se ky ishte edicioni më i dështuar i organizuar që prej origjinës së tij në Kosovë nga e njëjta shoqatë e, pothuajse, edhe nga po të njëjtit persona. Botuesit, ndoshta edhe organizatoren, Shoqatën e Botuesve të Kosovës (ata katër pesë anëtarë shoqate), e shqetësoi numri i vogël i vizitorëve, numri shumë i vogël i të interesuarve për libra të rinj dhe i blerësve. Në ditën e parë të panairit, në mbrëmje, pas mbylljes së tij, dhashë këtë kumt në llogarinë time në “Facebook”: “Nëse ‘mbarëvajtja’ e nesërme e panairit është si sot, një ditë ky panair i librit vetëm do të kujtohet. Pra, nuk do të shënohet. Më shumë botues se vizitorë. Më shumë staf të botuesve se vizitorë. Kryet në cung e qes, se sot asnjë botues nuk ka shitur pesë ekzemplarë të një titulli. Asnjë botues, asnjë autor, sot nuk është ndier i kënaqur. Kushdo që mburret për ditën e sotme, gënjen. Gjendje më të keqe, interesim më të ulët sesa në këtë edicion, nuk ka pasur në asnjë edicion. Prandaj, nëse ky trend vazhdon, pas pesë viteve ky panair nuk do të ekzistojë as nëse pjesëmarrja e botuesve bëhet pa pagesë, as nëse u ofrohen para botuesve për pjesëmarrje. Këtu do të jemi… Do të shihemi… Do të diskutojmë… Mos i harroni këto fjalë të Armagedonit”. Disa miq dhe mikesha shprehën opinione me fjalë, disa të tjerë shprehën befasi e disa të tjerë ironi nëpërmjet simboleve. Botuesit kishin shpresë se dita e dytë, e tretë, e katërt, e pestë do të jenë më të mira për ta, për librat dhe për autorët. Dorën në zemër, që i bie rri shtrembër e fol drejt, secila ditë ishte pak më shpresëdhënëse se paraprakja. Vizitorë pak më shumë dhe shitje pak më shumë. Por, sa pak më shumë? Në krahasim me tre katër vjet më parë, 60-70 për qind vizitorë më pak, gjithashtu 60-70 për qind shitje më pak. Vinin dhe dilnin nga sallat dhe shatorët e panairit, profesorë universitetesh, kolegjesh, arsimtarë, mësues, studiues, hulumtues, drejtues të institucioneve lokale dhe qendrore, politikanë, gazetarë, shkrimtarë, nxënës, afaristë, milionerë, multimilionerë, pa libra në duar. Disa vinin kërkonin libra falas si të ishte kohë krize për bukë. Po kishte edhe prej atyre që kishin libra në duar, në qese najloni dhe letre. Disa libra kishin çmime të shtrenjta, disa të arsyeshme, disa të lira, disa përtokë. Për të pasur sa më shumë punë, për të pasur sa më “llugë” pranë stendave, disa botues milionerë ofruan ulje çmimesh deri 80 për qind, por as kjo joshje nuk i joshi vizitorët. Paketat e bananeve, të mbushura me libra e të futura brenda, përsëri i nxorën jashtë me libra. Edhe pse organizatorja – Shoqata e Botuesve e Kosovës – në hapje të edicionit të sivjetmë dha kumtin se në këtë panair ekspozohen rreth dy mijë tituj të rinj, shumë prej atyre që hynin dhe dilnin nga panairi, si duket, nuk gjenin një titull të ri! Derisa dilnin i dëgjoja që thoshin: “Nuk gjeta gjë”. Tituj të rinj kishte nga botues të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut mjaft. Absolutisht nuk kanë qenë dy mijë tituj të rinj. As gjysma e tyre. Organizatorët vetëm po i përsëritin të njëjtat fraza si përherë. Edhe të njëjtat statistika të vizitueshmërisë. Nuk e di ku i kanë marrë organizatorët statistikat për dy mijë tituj të rinj e për vizitorë të shumtë. Nga botuesit, jo. Nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, jo. Nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, jo. Nga Biblioteka Kombëtare e Maqedonisë së Veriut, jo. Nga ndonjë anketë, jo. Kushedi nga kush…! E vërteta është kjo (hulumtuar nga bibliotekat që i pajisin librat me cip dhe barkod): tituj të rinj të librave më pak sesa në vitin e kaluar nuk janë botuar që dhjetë vjet, as nuk janë ekspozuar më pak se sivjet. Por, nuk është numri i vogël i titujve të rinj që ka përgjysmuar numrin e vizitorëve, as numrin e botuesve pjesëmarrës, as të autorëve, të aktiviteteve dhe të blerësve. Është diçka tjetër. Është shumëçka tjetër. Banorët e Kosovës sot kanë më pak para sesa që kishin, një, dy, tri e katër vjet më parë. Edhe po jetojnë më keq sesa më parë ani pse lënë përshtypjen, me publikime të fotografive në rrjete sociale nga vendet evropiane, se po jetojnë më mirë sesa që jetonin më parë. Po e mashtrojnë vetveten dhe po i mashtrojnë të tjerët. Edhe botuesit e Kosovës sot kanë më shumë shpenzime sesa që kishin, një, dy, tri e katër vjet më parë. Ashtu si qytetarëve që u është rënduar barra e jetës nga çmimet e larta të mallrave, ashtu u është rënduar botuesve barra e ekzistencës nga shpenzimet e përgatitjes, të shtypit dhe të shpërndarjes së librit. Njëqind për qind jam i bindur se asnjëri botues, përpos organizatorëve që kanë fituar mjaft shumë, nuk ka nxjerrë asnjë metelik fitim nga ky edicion. Kanë paguar çmim vetëm për imazh të biznesit dhe të autorëve. Shumë prej tyre, sidomos ata të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, kanë shpenzuar dyfish më shumë sesa që kanë fituar. Dmth., sapo kanë shkelur në pragun e panairit, sapo kanë lëshuar librat në tavolina, sapo kanë varur pllakatet në stenda, sapo kanë shpërndarë stafin nëpër karrige, kanë nisur të shpenzojnë pa pasur mundësi që shpenzimet t’i mbulojnë nga shitja e librave. “Mbarëvajtjen” e punës së tyre e kam përcjell që nga dita e parë me sy, e kam dëgjuar me vesh nga gojët e tyre, edhe e kam vënë re nga mimika dhe sjellja e tyre. Ankesa e tyre, sikurse e imja, është, në radhë të parë, taksa e lartë për pjesëmarrje. Pse duhet, për një metër katror të stendës, botuesit të paguajnë dyzet euro metrin katror (ata në plate), dyzet euro ata në Sallën e Kuqe, tridhjetë euro ata në sallën përballë saj? Pse kjo pjesëmarrje, që dikujt mund t’i kushtojë deri në 1 050.00 euro vetëm për pesë ditë (me një ditë të shkurtuar nga edicioni paraprak), për shembull “Dukagjini”-t që kishte 30 metra katrorë, mua 440.00 euro për 12 metra, të mos bëhet pa pagesë?! Kini parasysh, Shoqatën e Botuesve të Kosovës, për organizim të këtij panairi, e ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës. E ka mbështetur edhe komuna e Prishtinës. Së këndejmi, hapësira e Pallatit të Rinisë i është dhënë pa pagesë. A ka logjikë, që një hapësirë që merret pa pagesë, që një aktivitet që mbështetet nga MKRS-ja dhe nga komuna e Prishtinës, të bëhet me pagesë nga Shoqata e Botuesve për botuesit? Komuna nuk i faturon asgjë Shoqatës, kurse Shoqata u lëshon fatura botuesve, një javë pa nisur panairi, me këtë poshtëshënim: “Afati i pagesës së faturës tri ditë”. Sipas logjikës sime, kjo s’ka logjikë. Sipas suajës, kushedi! Edhe ndoshta mund të ketë! A ka logjikë, në njoftimin për medie të kësaj Shoqate, të shkruhet kjo fjali: “Hyrja falas për vizitorë”. Në Kosovën tonë, hëpërhë, nuk ka. Dhe, siç po vërehet puna, siç po vërehet “mbarëvajtja” e interesimit, e pjesëmarrësve, s’do të ketë kurrë. Kujtdo që i shkon mendja hyrjen për vizitorë në panair një ditë ta bëjë me pagesë, në panair do të mund të hyjnë vetëm qentë dhe macet pa pengesë. Nëse kryetari i Shoqatës ka ndër mend të organizojë edhe ndonjë edicion të këtij panairi duhet të nisë të mendojë qysh tash për edicionin e ardhshëm. Çfarë duhet të bëjë? Fillimisht ta heqë taksën për pjesëmarrje të botuesve, t’u ofrojë kushte më të mira botuesve dhe vizitorëve në një vend tjetër dhe, gjithashtu, të përgatisë katalog elektronik dhe fizik të botuesve gjithmonë. Aktivitetet t’i shpeshtojë, për të vegjël, për të rinj, për të vjetër, jo vetëm në qershor, por çdo muaj. Asnjë vizitori nuk i është dhënë program i aktiviteteve të panairit. Nuk i është dhënë që dhjetë vjet. Asnjë mjek, as të institucionit publik, as privat, në një sallë me zagushi, në tepihët e së cilës merrje në thua dhe mund të përplaseshe me hundë në dysheme, nuk e pati të pranishëm. Askund një bidon me ujë. Ato aktivitete që i ka përmendur se do t’i shënojë sivjet, sidomos përvjetorët e shkrimtarëve të vdekur, s’u zunë ngoje as në medie, as nga botuesit, as nga vizitorët, as nga autorët. U shënuan zbehtë, disa dështuan krejt. Krejt çfarë pashë në panair, tri katër përurime librash nga shtëpitë botuese, në një hapësirë të papërshtatshme për organizim, në të cilën më shumë i dëgjoje bisedat dhe ankesat e botuesve poshtë sesa fjalët e recensentëve dhe të kritikëve lart ballë për ballë publikut. Këto të meta të Shoqatës së Botuesve, që edhe në këtë edicion i paguan botuesit, MKRS-ja, komuna e Prishtinës, Pallati i Rinisë dhe vizitorët, një ditë do t’i shpaguajë vetë Shoqata, së cilës përgjigjja sivjet iu dha bumerang (prapakthehu) nga vizitorët: PËRGJIGJJA JONË NUK ËSHTË LIBRI. Prandaj, vëmendje! Kur ka mundësi komuna e Ferizajt të organizojë panair të librit pa taksë për pjesëmarrje të botuesve dhe t’ua heqë shpenzimet e fjetjes botuesve të Shqipërisë e të pijeve e të ushqimit botuesve të Kosovës; kur ka mundësi komuna e Prizrenit të organizojë panair të librit pa taksë për pjesëmarrje të botuesve dhe t’ua heqë shpenzimet e ushqimit të gjithë botuesve; kur ka mundësi komuna e Pejës të organizojë panair të librit pa taksë për pjesëmarrje të botuesve; kur kanë mundësi edhe komunat e tjera të organizojnë panair të librit pa taksë për pjesëmarrje të botuesve, me një buxhet simbolik prej katër mijë deri në gjashtë mijë euro për organizim, pse nuk ka mundësi Shoqata e Botuesve e Kosovës t’ua mundësojë pjesëmarrjen botuesve pa pagesë që merr për organizim të panairit herë rreth, herë mbi 30 000.00 euro nga institucionet qendrore dhe lokale?! Natyrisht që ka, por po e vazhdon avazin: mbledhjen e taksës dhe vënien e gjobës shtesë prej njëzet eurosh. Më të mira, më të buta e më të shumta janë 70 000.00 – 80 000.00 mijë euro (nga institucionet + botuesit) sesa vetëm mbi 30 000.00 mijë nga institucionet. Pak botues të tjerë këto fjalë i thonë publikisht sepse tuten. Unë pesë para s’i jap. Por, paraja, e dini ju që s’i keni, nuk është gjithçka. Nuk ka qenë kurrë. Paraja nuk e bën njeriun të lumtur. As të suksesshëm. As nuk e bën një botues më të madh sesa një tjetër që ka pak para. Në asnjë edicion të panairit të librit në Prishtinë, as në Ferizaj, as në Prizren, as në Pejë, askund tjetër, nuk kam marrë pjesë vetëm për të shitur libra dhe për t’u bërë pak më i pasur sesa që jam. E kam bërë këtë punë vetëm për librin dhe për autorët. Do ta bëj edhe më tutje siç e bën Azem Zogaj, një njeri i kulturuar, mbase një prej lexuesve më të mprehtë e të mëdhenj që ka Kosova, i cili më shumë se gjysmën e jetës e ka kaluar duke blerë, lexuar dhe shitur libra. Ai nuk blen dhe shet libra për t’u bërë i pasur. Nuk është bërë i pasur nga shitja e librit. As nuk përpiqet të bëhet. Jeton thjesht, vishet thjesht, ha thjesht. Po ka mendje të ndritur. Leximin e ka pasion. E ndez veturën “Seat Ibiza” në Prishtinë, niset për Pejë. Një ditë tjetër e ndez të njëjtën veturë në Prishtinë dhe niset për Ferizaj. Merr me vete njëzet tridhjetë libra. U shërben lexuesve. Kushdo që ia kërkon një libër, që e di se është dashamirës i leximit, është në gjendje të bëjë rrugë njëqind kilometra dhe t’ia dërgojë librin në vend. Kjo është lumturia e tij. Edhe më i lumtur është kur gjen ndonjë libër të mirë dhe ia propozon dikujt për lexim. Edhe më i lumtur se kaq është kur ai që ia ka blerë (shpeshherë edhe ia huazon për lexim, nuk ia merr paratë), i flet për librin që ia ka sugjeruar për lexim. Ky është njeri fisnik. Një kësi njeriu i duhet kulturës sonë. I duhet Shoqatës së Botuesve të Kosovës. Jam përpjekur, kohë pas kohe, takim pas takimi me të, të vjedh pak nga karakteri i tij. Duke marrë mësim nga kultura e punës së tij dhe shkas prej neverisë së disa autorëve dhe botuesve, në çdo edicion të panairit kam ndenjur shumë pak kohë te stenda ime. Ua kam lënë në dorë kuletën dhe librat miqve dhe mikeshave. Besim në ta, plot. Edhe jetën. Kam ndenjur dhe kam vëzhguar punën e botuesve nga kati i parë i pallatit si shqiponjë. Kam parë dhe kam ndier keqardhje se si botuesit dhe autorët e veprave ua zinin udhën vizitorëve dhe, për t’ua blerë një libër, edhe u përgjëroheshin. Përpos vetveten, edhe vizitorët i bënin të ndiheshin keq që, ndoshta, mund të mos kishin para për t’ua blerë një libër e hequr qafe. Sa skena të rënda kam parë këto ditë. Sa dinjitet të përulur. Sa shpinë të kërrusura. E merrni me mend pse vepronin kështu autorët dhe botuesit?! Sepse, nëse s’e kanë paguar faturën për pjesëmarrje si unë para dhjetë ditësh, do ta paguajnë nëse duan të dalin gjallë nga aty. Punë e mundimshme, me të pritura e të papritura, me skena komike dhe tragjikomike, veprimtaria botuese ishte përplot. Ndoshta gjithmonë kështu ka qenë, por gjithmonë kështu nuk duhet të mbesë. E unë botimet i bëj dhe i botoj për qejfin tim herë me shuma simbolike nga MKRS-ja, herë pa asnjë kacidhe nga askush. E kur më mohohet mundi, sikurse kohën e fundit po ma mohon Këshilli i Librit i ministrit Çeku e po përpiqet t’i përkrahë botuesit e rinj, pronarët e tyre të moshës 20-25 vjet, që mezi i shkruajnë dy fjalë shqip, reagoj, sepse përpiqem ta mbroj dinjitetin e shkrimtarit dhe të botuesit. Kam marrë pjesë nëpër panaire për t’i nderuar autorët dhe librat e tyre, për t’ua paraqitur lexuesve botimet e reja, për të bashkëbiseduar e udhëtuar me ta nëpër pyje imagjinare e reale për autorët dhe për veprat e tyre. Natyrisht, edhe për ta përhapur sa më shumë emblemën e “Armagedoni”-t dhe veprimtarinë e tij botuese. Dhe, si gjithkund në botë, marketingu paguhet dhe, natyrisht, do të duhej edhe të shpaguhej. Megjithatë, në Prishtinë, në vitin 2024, në panair të librit, nuk ndodhi kështu. Dhe kurrgjë s’qe sivjet çka do të jetë në vitin e ardhshëm. Botuesit, vizitorët dhe librat e rinj do të pakësohen, kurse organizatorët do të vazhdojnë të mburren dhe të japin pllakate pa para, edhe pa i lexuar librat fare. Dhe, një ditë prej ditësh, siç s’po vijnë qytetarët e Shqipërisë në Panairin e Prishtinës, një ditë prej ditësh as ne nuk do të shkojmë në atë të Tiranës. I nderuari të nderon, e ai që s’të nderon, s’ia vlen të nderohet. Edhe ata autorë dhe ato shtëpi botuese, që në rrjete sociale paraqesin kopertina të reja të titujve të vjetër, kinse botimi i dytë, i tretë, një ditë do të harrohen. Maskat do t’u bien në pikë të ditës dhe në mesnatë. Dhe, u ranë. Puna e tyre u pa. E panë botuesit. E pa stafi i botuesve. E panë vizitorët. E transmetuan mediet te shikuesit dhe te dëgjuesit. Më pyetën shumë kolegë botues, shumë miq, shumë autorë, pak lexues, të cilëve ua përmenda gjatë këtyre pesë ditëve të panairit këto shkarje e të meta ndër vite të organizimit të Panairit të Librit në Prishtinë, sidomos të edicionit të fundit, se a është përgjegjëse vetëm Shoqata e Botuesve e Kosovës për këtë dështim apo kanë faj edhe të tjerët? Kush janë të tjerët, – i pyeta? Lexuesit… ne… institucionet… më thanë duke menduar e duke u shprehur me pauza. Të gjithë kemi faj nga pak, u thashë, por më së paku ne botuesit që, për shkak të taksës dhe gjobës që na vë “shtëpia” jonë që merr para në emrin tonë e të librit nga institucionet dhe nga ne, nuk mund t’u ofrojmë zbritje më të madhe dashamirëve të librit dhe nuk mund t’i presim më mirë. Dhe atyre u premtova, se derisa ky panair të jetë me pagesë e derisa të bëhet pa pagesë, “Armagedoni” nuk do të marrë më pjesë. M’u duk sikur më thanë s’do të marrim më as ne. Unë do ta mbaj fjalën deri në një vendim tjetër të Shoqatës, ndërsa autorët dhe veprat e atyre që i kemi botuar dhe që do t’i botojmë, do të vazhdojmë t’i nderojmë, t’i vlerësojmë dhe t’i paraqesim në panaire të qyteteve të tjera dhe t’i shpërndajmë nëpër librari të Kosovës, të Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, do të punojmë diçka speciale për ta dhe për veprat e tyre, të cilën, ndërkohë, do të mund ta marrin botuesit e tjerë shembullin prej nesh. Nëse keni ndonjë përgjigje tjetër për librin, ma jepni në këtë email: [email protected]. Shëndet! Dhe, pushime të mbara!

 

Autori është botues

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama…