Përgjimi telefonik mes dy politikanëve serbë përjashton mundësinë që Ivanoviqi të jetë vrarë nga shqiptarët
Askush nga rrethi i Oliver Ivanoviqit nuk dyshon se shqiptarët qëndrojnë prapa vrasjes së tij, rezulton nga një bisedë telefonike mes dy politikanëve serbë, të publikuar nga portali “Insajderi”.
Sipas bisedës, dyshimet fillestare janë se vet shteti i Serbisë qëndron prapa vrasjes, ndërsa si ekzekutorë të mundshëm përmenden njerëz të grupeve kriminale të udhëhequra nga Zvonko Veselinoviqi dhe Milan Radojçiqi.
Gazeta online “Insajderi”, në përgjimin e publikuar sot, ka vendosur që për shkaqe sigurie të mos ia zbulojë identitetin e njërit prej personave të përgjuar, që është asamblist në pjesën veriore të Mitrovicës.
Biseda është zhvilluar ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. “Ajo që është e sigurt, edhe sipas informatave që i kam marrë është e sigurt se këtë nuk e kanë bërë shqiptarët”, deklaroi Nikola Sanduloviq, kryetar i Partisë Republikane. “Sepse këtu në Serbi të gjithë dyshojnë në këtë Qeveri këtu, e shoh që është atmosferë e tillë”.
“Besomëni asnjëri prej nesh nuk dyshon në këtë, besoni apo jo, ky opsion është i përjashtuar. E dini, mendimi im dhe i këtyre të tanëve është se këtë e kanë bërë mafiozët lokalë, por edhe ata kanë qenë të detyruar të marrin leje prej dikujt, madje edhe ata çfarë vagabondë janë nuk guxojnë të bëjnë diçka të tillë pa leje”, sqaron asamblisti lokal