Përgjysmimi i dënimit për kriminelin serb të luftës irriton krushjanët

01 dhjetor 2020 | 14:17

Për një sërë krimesh të luftës, Darko Tasiq, do të dënohet me 11 vjet burgim, përfshirë këtu edhe paraburgimin, sipas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit që përgjysmoi dënimin e tij nga 22 vjet sa i caktoi Gjykata Themelore në Prizren.

Sipas pikës 1 të aktakuzës, Tasiq në Krushë të Vogël mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake. Ndërsa sipas pikës 2 të aktakuzës, ai akuzohej edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.

Edhe kur ishte dënuar me 22 vjet, krushjanët patën protestuar duke thënë se ky dënim është qesharak në krahasim me mizoritë që iu kishte shkaktuar Tasiq familjarëve të tyre.

Por, tani kur dënimi u ul përgjysmë, ata ndjehen të irrituar dhe të tradhtuar nga drejtësia kosovare.

Kryetar i këshillit të fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, ka thënë për “klankosova.tv” se gjykatat e Kosovës i bën të pavlera dëshmitë e familjarëve të viktimave të krimit.

“Kjo është e tmerrshme. Derisa kriminelit i përgjysmohet dënimi s’mund të quhet ndryshe veçse një dështim i drejtësisë kosovare dhe vazhdim i asaj drejtësie ndërkombëtare që e bëjnë qytetarin e Kosovës të mos ndjehet komod me rastet me historinë dhe t’i bëjnë dëshmitë e qytetarëve të pavlera krahas propagandës të kujtdo qoftë ajo”.

“Ky dënim e ngre një pikëpyetje të madhe nëse duhet ta marrim drejtëinsë në duart tona. S’mund të kërkohet të bëhet pajtim me Serbinë derisa kriminelët s’dënohen ose edhe kur dënohen marrin pak dënim”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se dështimi i drejtësisë kosovare mund të dëmtojë edhe Kosovën në tentativën për të arritur të vendosë drejtësi për krimet e luftës.

“Një njeri që i ka bërë gjithë ato krime në dy fshatra, që ka bërë zhvendosjen e trupave, krim të organizuar nga Krusha e Madhe në Krushë të Vogël, pra një kriminel që ka emër e mbiemër dhe të mos merr dënimin e merituar është dështim i vazhduar edhe nga drejtësia ndërkombëtare”, ka thënë Hoti.

Hoti, në emër të familjarëve të viktimave dhe gjithë banorëve të fshatrave Krushë e Vogël dhe Krushë e Madhe, ka bërë apel që presidenca, kryeministria dhe grupet parlamentare ta trajtojnë seriozisht këtë çështje.

“Masakrat e Krushës është Auschwitz i Evropës moderne dhe nëse këta kriminelë kalojnë pa u dënuar apo të marrin me dënime qesharake, na bën të mendojmë se duhet ta marrim drejtësinë vetë në dorë”.

“Familjarët tonë s’mund të gjejnë kurrë paqe derisa kriminelët serbë jo vetëm që s’e marrin dënimin, por ato zvogëlohen, edhe pse ishin qesharake në fillim. S’mundet një kriminel që e ka mbush kamionin viktima bashkë me aparatin shtetëror serbë të kalojë me këtë dënim kaq të lehtë”, është shprehur ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadorët e Bashkimit Evropian (BE) nuk kanë rënë dakord për…