PËRGOJUESIT E PAZARIT ZGJEDHOR

11 tetor 2019 | 14:28

Shkruan: Jakup Krasniqi

Pas zgjedhjeve të vitit 2014 kam hequr dorë nga deputeti. Nga atëherë e deri më sot nuk kam ushtruar asnjë detyrë institucionale në shtetin e Kosovës. Nuk kam marrë pjesë si kandidat në asnjë palë zgjedhje, as të vitit 2017 dhe as në këto të tanishmet, 6 tetor 2019. Kam dhënë vetëm kontribut politik brenda një partie politike dhe para opinionit publik kam shfaqur pikëpamjet e mia për problemet shoqërore, jo gjithherë brenda ndonjë kornize politike partiake. Këtë e dinë apo duhet ta dinë të gjithë ata që kanë kujtesë politike të njeriut.
Por, ky fakt, i ditur nga shumëkush, nuk i ka penguar disa njerëz që veten e tyre e kanë qitur në shitje në pazaret zgjedhore e parazgjedhore, për të sulmuar një njeri të pensionuar dhe jo ata që në forma të ndryshme e kanë keqshfrytëzuar buxhetin e shtetit dhe kanë pasur mundësi pafund për të vendosur njerëz në institucionet më të larta të shtetit dhe në institucionet e pavarura të tij gjithë sojin e sorollopin e tyre. Por, për ata njerëz të pushtetshëm jo vetëm që nuk kanë folur asgjë, por, ata i kanë paguar përgojuesit që të merren me mua e familjarët e mi, të cilëve për pothuajse 40 vjet iu kam shkaktuar probleme të shumta e aspak favore. Natyrisht, në këtë gjueti shtrigash janë ndihmuar edhe nga disa medie të dala në pazarin e shitjes. Duhet kuptuar, fundja, se njerëzit e tillë kanë të drejtën të dalin në një pazar të tillë shitjeje e stërshitjeje. Në të kaluarën, në pazar shiteshin e bliheshin kafshët e zarzavatet e ndryshme, por jo njerëzit. Sepse koha e robërve dhe skllavopronarëve ishte tejkaluar qyshkur. Nejse, koha si duket qenka e disa njerëzve dhe portaleve të jenë pjesë e tregut të shitjes së lirë!
E shfrytëzoj këtë rast për të thënë se familjarëve të mi iu kam shkaktuar probleme të shumta që

nga vitit 1981, kur jam burgosur dhe ata janë larguar nga puna për shkakun e veprimtarisë sime politike klandestine. Ka nga ata që edhe pensionin sot nuk e marrin si moshatarët e tyre, të cilëve nuk u mungon as qimja e flokut e atyre viteve. I falënderoj të gjithë për faktin se kurrë nuk janë ankuar! Përkundrazi, janë krenarë për punën dhe përkushtimin për atë që gëzon sot atdheu!

Gjatë luftës së fundit, kur dola publikisht, me emër e mbiemër si zëdhënës i UÇK-së, nuk ishte ndonjë përparësi, jo vetëm për mua as familjarët e mi, por as për bashkëfshatarët e bashkëkombësit e mi. Më vjen mirë që liria erdhi! E zëri im i shërbeu Ushtrisë Çlirimtare, Lirisë Kombëtare e Pavarësisë!

Edhe në vitet 2010-2011 kur e kundërshtova kryetarin e PDK-së dhe kryeministrin e atëhershëm të Kosovës për keqqeverisje, dhe paksa më vonë kur u largova nga partia për të cilën investova shumë nga puna e jeta ime, veprime këto që nuk i bëra për t’i favorizuar familjarët e mi dhe as fëmijët e mi, por për demokracinë, për kombin e shtetin.

Së këndejmi, mirënjohje pres vetëm nga njerëzit që kanë vlera dhe njohin vlera.
Të gjitha rastet e cekura, opinioni që ka kujtesë normale, të paanshme dhe të sinqertë, i di mirë se i bëra vetëm e vetëm për interesin e kombit e të vendit tim.
Po të mendoja e punoja për veten time dhe familjarët e mi të shumtë, do të ndiqja rrugët që ndoqi shumica e shqiptarëve si dje, ashtu edhe sot!
Rrugën e jetës e bëra sipas bindjeve të mia të majta për t’i shërbyer çlirimit e bashkimit të kombit. Pasi ajo ideologji ishte ideologji e mobilizimit të kombit në Luftën Çlirimtare! Pa atë mobilizim nuk do të kishte Liri e Pavarësi!

Për shfaqjen e bindjeve të mia dhe luftën time jetësore në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë nuk kam marrë as kërkuar leje as nga familjarët, madje as nga prindërit mi! Atë rrugë e kam ndjekur në vazhdimësi, i bindur edhe për reflektimet qëllimkëqija si këto të ca njerëzve pa identitet dhe ca monstrave mediale. Madje, leje nuk i kam marrë asnjë shefi partie! Atë rrugë e zgjodha dhe e vazhdova pa asnjë hezitim.

Shkurt: nuk isha si ai soji i njerëzve që edhe lavdinë, edhe tragjedinë më të madhe familjare apo kombëtare ta shfrytëzojë për tregti e fitime personale. Atë e bënë dje, e bëjnë edhe sot e gjithë ditën vetëm përgojuesit, pazarxhinjtë, xhambazët e matrapazët e çdo ngjyre.
Këtyre të fundit nuk po ua përmend emrat, pasi nuk janë aq pak dhe as që e meritojnë, duke qenë se ata e gjejnë veten në punët e pista që i kanë kryer gjatë gjithë jetës së tyre dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite me të njëjtin zell prej zvarranikësh intrigantë.
Lutem që të tillë zvarranikë të mos lindë më kombi ynë!
Nga të tillët kombit vetëm të liga i kanë ardhur!Fatkeqësisht, kështu ndodhi dikur dhe aq më keq po ndodh edhe sot!
Do të ishim me fat të mirë po ndodhi një fillim i ri dhe jo vetëm për qeverisje!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët më të lartë kushtetues të Çekisë, refuzuan të enjten…