Përjashtimi i OVL-UÇK-së për fjalim në Reçak nga Zyra e Kurtit, reagon Shukri Buja: Cenzurë e kohës së Millosheviqit
Krerët e shtetit do të mblidhen nesër në Reçak, e pastaj në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, për të shënuar përvjetorin e masakrës së Reçakut.
Takimi do të ketë në krye presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca.
Pas homazheve në Reçak, të tre kanë planifikuar të mbajnë fjalime. Siç ka raportuar Demokracia.com, Zyra e Kryeministrit ia ka mohuar OVL-UÇK-së dhe kryetarit të fshatit të Reçakut, Adem Ramadani të mbajë fjalim në organizimin përkujtimor të Masakrës së Reçakut.
Në fjalimin e tij, dorëzuar Zyrës së Kryeministrit, u përmendën ish-krerët e UÇK-së dhe mungesa e dënimit të serbëve që kryen masakrën në Reçak. Kështu bëri të ditur kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në Shtime, Muhamet Bilalli për mediumin.
“Në bisedim e sipër, na kemi kërku sqarim pse është largu, se na si Këshill Organizativ dhe si fshat e kemi dërguar këtë person [kryetarin e fshatit Reçak]. Ia ka lypë fjalimin Zyra e Kryeministrit, ky ia ka dërgu. Fjalimi u kanë i mirë, nuk ka pasur diçka. Nëse fjalimi ka diçka jashtë normales, le ta përmirësojmë atë dhe del në rregull.
Në qoftë se ka nevojë, me heq diçka, me shtu diçka… Fjalimi ka qenë përshëndetje për krerët e shtetit, gjatë fjalimit për masakrën. Fjalimi ka përmbajt theks se asnjë nuk është i akuzuar e i dënuar për Masakrën e Reçakut, asnjë serb. Ndërsa, krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë”, deklaroi ai.
Ish-komandati i UÇK-së, Shukri Buja, në një deklarim për Indeksonline e ka cilësuar një gjë të tillë si cenzurë, që “i përket kohës së Millosheviqit”.
“Sot kam qenë i informuar nga organizatat e dala nga lufta për problematikën që ka ndodhur atje. Më kanë njoftuar edhe për fjalimin e kryetarit të fshatit, i cili është detyruar ta dërgojë në zyrën e kryeministrit, që është diçka e pakapshme, sepse cenzura të tilla kanë ndodhur vetëm në kohën e Millosheviqit, kanë ndodhë përmirësime apo redaktime të shkrimeve dhe fjalimeve, por jo në kohën e shtetit të Kosovës.
Kjo është një vepër jashtë çdo norme demokratike dhe jashtë çdo norme edhe njerëzore. Përveç kësaj, shoqatat e dala nga lufta kanë kërkuar që të marrë fjalën edhe dikush nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si përfaqësues, sepse kryeministri i Kosovës, presidentja e shtetit, duhet ta kenë parasysh që në mbrojtjen e që kanë shpëtuar dhe atyre që janë masakruar, gjithë ajo plejadë e gjithë ai tmerr që ka ndodhë, ka qenë në zonën operative të Nerodimës, në territorin e Brigadës 161, dhe në qoftë se dikush dëshiron t’i kompensojë me fjalime ato që dikur, në historinë e kombit tonë, ishte nën margjinat e saj, ne nuk jemi fajtorë”.
Sipas tij, viktimat e Reçakut nuk e meritojnë një qasje dhe një mospërfillje të tillë.
Viktimat e Reçakut, martirët e Reçakut, nuk e meritojnë një qasje të tillë prej institucioneve shtetërore, por duhet të jenë të kujdesshëm, pasi Masakra e Reçakut është një nga masakrat që vuri në lëvizje të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë dhe është baza e fillimit të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Prandaj çdo lojë me këto, për të ngritur një individualitet të vetit, cilido qoftë ai, është tepër e gabueshme dhe tepër e dëmshme për Kosovën” përfundoi ai.