
Përjashtohet nga LVV-ja, Lahu shpërthen me kritika: Arben Vitia i humbi qëllimshëm zgjedhjet ndaj Ramës
Berat Lahu, asamblisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, shpërtheu me kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje pasi u përjashtua nga subjekti shkaku i votës pro buxhetit të komunës për vitin 2025.
Lahu, në seancën e parë si i pavarur në Kuvendin Komunal, zbuloi për herë të parë të pathëna për Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.
Ish-anëtari i Kryesisë së LVV-së në Prishtinë tha se Arben Vitia e sabotoi qëllimshëm fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2021.
“Në vitin 2010 me kërkesën e kryeministrit Albin Kurti, asokohe kryetar i Vetëvendosjes, iu kam bashkëngjit Vetëvendosjes edhe me qejfin ma të madh duke besu se Vetëvendosje është pikërisht organizata politike trashëgimtare e lëvizjeve dhe organizatave ilegale të viteve kur edhe babai im i ndjerë ka kontribuuar. Prej asaj dite deri në vitin 2021 kam qenë pjesë e të gjitha strukturave të Vetëvendosjes”, e nisi fjalimin ai.
“Nga viti 2017, kryetar i Qendrës së Prishtinës zgjidhet Arben Vitia dhe prej ditës së parë kam pasur ankesa në mënyrën se si është punu, apo sesi nuk është punu në tash dhe për mënyrën sesi janë marrë vendime. Asnjë mbledhje, asnjë procesverbal nuk ekziston në Qendrën e LVV-së në Prishtinë për katër vite. Kjo është e turpshme”, tha Lahu.
Ai tha se Vetëvendosje i ka humbur zgjedhjet lokale në Prishtinë në mënyrë të turpshme.
“Garën për kryetar e kemi humbur turpësisht. Unë i kam thënë Arben Vitisë se ne [LVV-ja] kemi humb. Nuk ka fitu LDK-ja, nuk ka fitu Përparim Rama. Por, kandidati.. ai s’ka dashtë, ai e ka sabotu fushatën. Dhe kjo është e shkruar në raportin tim për fushatën si pjesë e shtabit”, tha Lahu.
Duke folur për dështimet e Arben Vitisë, Lahu tha se “dikush që prej 65% e sjell subjektin në 35%, duhet të japë dorëheqje”.
“Arben Vitia s’ka jep dorëheqje, ka vazhdu prapë”, shprehu zhgënjim Lahu.
“Vendimi ma i turpshëm nuk është ai i Badocit, por Badoci ka qenë simptoma për shkak se ne jemi manipulu ku vet kolegia Nora ka thënë se ky vendim është për Prokurori. Edhe unë pajtohna për këtë, por unë kam qëndruar nën mashtrimin e Gëzim Sveçlës që ky qëndrim është i kryesisë qendrore dhe i Albin Kurtit”, tha në fund ai.