Përjetësohet në bronz, vepra madhore e heroit të Kosovës, Ramadan Rexhepi – Adidasi

12 qershor 2023 | 19:24

Në 24-vjetorin e çlirimit të Ferizajt, sot në qendër të qytetit, u përjetësua në bronz, vepra madhore e heroit të Kosovës, mikut dhe bashkëluftëtarit, Ramadan Rexhepi – Adidasi.

Komandat Adidasi ishte një figurë ikonike në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës, intelektual i dalluar, simbol i guximit, vendosmërisë dhe përkushtimit të papërsëritshëm për idealin e lirisë.

Vepra e tij është frymëzim për brezat e rinj të Kosovës dhe për të gjithë ata që besojnë në lirinë dhe drejtësinë.

Në këtë 24 vjetor të çlirimit, kujtojmë 12 Qershorin e vitit 1999, këtë ditë të shenjtë dhe të rëndësishme, ditë historike e fitores së madhe, ditë e cila ndanë lirinë nga robëria, të mirën nga e keqja, drejtësinë nga padrejtësia, dritën nga errësira, është ditë që do të mbetet e gdhendur thellë në kujtesën e popullit shqiptar, si simbol i përfundimit të një epoke të errët të vuajtjeve dhe shtypjes. Kjo është dita kur trishtimi u zëvendësua me gëzimin, kur shpresat e shuara u rikthyen në ndriçim dhe kur liria mori kuptim.

Në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë, Kosova ka pasur mbështetjen e shumë miqve të vërtetë, veçanërisht të SHBA dhe NATO, të cilët kanë qenë dhe janë aleatët tanë më të rëndësishëm. Ata na kanë ndihmuar në sfidat dhe betejat për të arritur atë që kemi sot. Në këtë kohë të sfidave është e domosdoshme të ruajmë dhe të avancojmë miqësinë dhe bashkëpunimin tonë me ta, është shumë e rëndësishme për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të suksesshme për Kosovën dhe popullin tonë.

Duhet të vlerësojmë lartë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe të nderojmë dëshmorët e saj, invalidët dhe veteranët. Ata kanë dhënë gjithçka për luftën tonë për liri. Për të ruajtur sukseset dhe arritjet tona të deritashme, është e rëndësishme të vlerësojmë dhe të kujdesemi për trashëgiminë tonë historike. Liderët e UÇK-së, me trimëri, mençuri dhe diplomaci, na udhëhoqën në kohën më të vështirë dhe na çuan drejt lirisë dhe pavarësisë. Duhet t’i nderojmë ata sepse janë burim i frymëzimit dhe shembull i lidershipit.

Është shumë e dhimbshme që në përvjetorin e 24-të të lirisë së Kosovës, për të festuar këtë ditë të shenjtë, në mesin tonë nuk janë ata të cilët kontribuan më së shumti për këtë ditë.

Hashim Thaçi, Kadri, Veseli, Jakup Krasniqi, Rexep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre, që janë duke e zhvilluar betejën përfundimtare për të dëshmuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishe e popullit dhe se bëri luftë të drejtë e çlirimtare kundër shtetit gjenocidial serb dhe strukturave të tij.

Lavdi e përjetëshme dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nder dhe respekt për invalidët dhe veteranët!

Mirënjohje e thellë për të gjithë qytetarët tanë!

Lavdi!

(Fjalimi i mbajtur i Elmi Reçicës para qytetarëve ferizajas, në 24-vjetorin e çlirimit të Ferizajt, ku në qendër të qytetit, u përjetësua në bronz, vepra madhore e heroit të Kosovës, mikut dhe bashkëluftëtarit të tij, Ramadan Rexhepi – Adidasi).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë…