Përjetësohet vepra e dëshmorit Ahmet Alush Pantina
Me rastin e 20-vjetorit të rënies heroike të dëshmorit të kombit Ahmet Alush Pantina të martën janë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve te Kodra e Kuqe në Grabanicë të Klinës, në orën 10:30 janë mbajtur homazhe te lapidari i dëshmorit në fshatin Llozicë, kurse në orën 12:00 është promovuar libri monografik “Djaloshi me shikim lirie – Ahmet Alush Pantina”, i autorit Jusuf Osmani, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Kryeredaktori dhe drejtori i Institutit të Historisë, Sabit Syla, ka thënë se historiografia shqiptare po begatohet edhe me ketë vepër.
Ai ka thënë se ishin armët e UÇK-së të cilat e hoqën maskën gjenocidale të Beogradit, duke theksuar se Ahmet Pantina me rënien e tij ishte frymëzim për ne.
“Vepra e Ahmet Alush Pantinës është ende e freskët dhe mbetet frymëzim i përhershëm për ne dhe brezat që vijnë. Ky përvjetor është një përpjekje modeste për ta shënuar, riafirmuar e hedhur dritë mbi jetën e këtij kolosi të qëndresës sonë shqiptare. Sot historiografia shqiptare po begatohet edhe me këtë vepër dhe botim të veçantë”, ka thënë Syla.
Recensenti i këtij libri, Nuri Behxheti, ka vlerësuar lart vlerën e librit. “Lufta e fundit është më e madhja dhe më e suksesshmja. Ky libër është i vogël për ta përfshirë jetën e heroit Pantina”, ka thënë ai.
Recensenti tjetër, Ibrahim Gashi, e ka përshkuar jetën dhe veprën e dëshmorit Ahmet Pantina. Ai ka thënë se ky libër përmban 14 kapituj, ku përshkruhet vepra dhe jeta e dëshmorit të kombit, Ahmet Alush Pantina.
Ndërkaq edhe Sali Bashota, recensent i librit, ka thënë se kjo vepër portretizon dëshmorin Ahmet Pantina me heroizmin dhe luftën e UÇK-së.
“Veprimtaria e 19-vjeçarit Ahmet Pantina ishte heroike”, ka thënë ai.
Ndërsa autori i librit, Jusuf Osmani, ka thënë se është munduar që me fakte ta paraqesë jetën dhe veprën e dëshmorit Ahmet Pantina.
Në emër të familjes ka folur vëllai i dëshmorit, Xhevdet Pantina, i cili ka falënderuar autorin dhe panelin e profesorëve dhe të pranishmit për pjesëmarrje.
I pranishëm në promovimin e këtij libri ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryetari i Luginës së Preshevës, Shqipërim Arifi.
(Arbisa Shefkiu)