Përkrahen financiarisht studentët e komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom

17 mars 2022 | 14:49

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për ofrimin e mbështetjes financiare për studentët e komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom të cilët studiojnë në universitetet publike në Kosovë.

Qëllimi i këtij memorandumi është promovimi i edukimit te këto komunitete, nxitja në zhvillim akademik, krijimi i mundësive që studentët të mos i ndërpresin studimet për shkak të kushteve të vështira materiale, si dhe krijimi i brezave të rinj të mësimdhënësve dhe ligjëruesve nga radhët e komuniteteve.

Me këtë rast, ministri Krasniqi ka theksuar se kjo përkrahje financiare do të ndikojë në rritjen e nivelit arsimor të këtyre komuniteteve, ndërsa ka thënë se për informim rreth kësaj mundësie duhet të punohet bashkë me shoqërinë civile, shkollat dhe komunat.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, pasi që ka theksuar rëndësinë e mbështetjes financiare për studentët e këtyre komuniteteve, përmendi edhe mbështetjen që po jep ministria për qendrat mësimore me bazë në shkollë dhe me bazë në komunitet, si dhe bursat që ndahen për nxënësit e shkollave të mesme për komunitetet ashkali, egjiptian dhe rom.

Ministrat Krasniqi e Nagavci u zotuan se si institucione do të punojnë vazhdueshëm për krijimin e mundësive të barabarta në arsim për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Chelsea momentalisht është në një kaos pas sanksioneve…