Përkrahte Putinin, parlamenti i Pakistanit shkarkon kryeministrin Imran Khan
Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është shkarkuar nga detyra pasi humbi një votë mosbesimi ndaj lidershipit të tij në parlamentin e vendit.
Votimi u mbajt pas mesnatës së të shtunës, në një mocion që u soll nga opozita për të larguar ish-kapitenin e ekipit kombëtar të kriketit nga pushteti.
Mocioni kundër Khan u soll për herë të parë javën e kaluar nga opozita, por ai e bllokoi atë duke shpërndarë parlamentin.
Më pas ishte Gjykata e Lartë ajo që i hapi rrugë votimit të së dielës, e cila vendosi në favor të partive opozitare dhe tha se Khan kishte vepruar në mënyrë jokushtetuese.
Imran Khan është kryeministri i parë pakistanez që shkarkohet nga një votë mosbesimi. Partitë opozitare ishin në gjendje të siguronin 174 vota në dhomën prej 342 anëtarësh në mbështetje të mocionit të mosbesimit.
Në një postim në Twitter, udhëheqësi i opozitës Shehbaz Sharif tha se Pakistani dhe parlamenti i tij u çliruan përfundimisht nga një krizë serioze.
Khan u shpreh më herët se nuk do të njihte një qeveri opozitare, duke pretenduar se kishte një komplot të udhëhequr nga SHBA për ta hequr atë, për shkak të refuzimit të tij për të qëndruar me Uashingtonin për çështjet kundër Rusisë dhe Kinës. /A2news