Përkujtohen dëshmorët Astrit Bytyqi, Hysni Kajtazi dhe Besim Qarri
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu me bashkëpunëtorë, babanë e dëshmorit të kombit, Astrit Bytyqi, Gafurrin, përfaqësues të organizatave të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve të kombit në këtë komunë në përkujtim të rënies heroike të dëshmorëve Astrit Bytyqi, Hysni Kajtazi dhe Besim Qarri.
Me këtë rast, kryetari Aliu ka thënë se përkujtimi i dëshmorëve në këtë ditë ka një simbolik të veçantë për shkak të themelimit të ushtrisë së Kosovës.
“Ne sot jemi përulur para tre dëshmorëve të Ferizajt, të cilët ranë heroikisht në betejën e Gorozhubit, në zonën e Pashtrakut së bashku me komandantin Mujë Krasniqi – Kapuçin dhe shumë veteranë të asaj kohe”, ka thënë ai, duke u lutur që të rrojë gjithmonë ushtria e Kosovës. “E paçim përgjithmonë Ushtrinë e Kosovës. E paçim përgjithmonë shtetin e Kosovës. Lavdi gjithë heronjve e dëshmorëve të kombit, lavdi gjithë të rënëve në të gjitha periudhat e sakrificës së gjatë të popullit shqiptar”, ka thënë Aliu.
Ndërsa Gafurr Bytyqi, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, ka thënë se është krenar me të birin e tij dëshmorë dhe me bashkëluftëtarët e tij.
/Epoka e re/