Përkujtohen dëshmorët e kombit, Naim Beka dhe Agim Matoshi
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi, drejtorë komunal, përfaqësues nga organizata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëluftëtarë dhe qindra qytetarë kanë bërë të enjten homazhe te varrezat e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorëve të kombit, Naim Beka – Sokoli dhe Agim Matoshi.
I pari i Ferizajt, Agim Aliu me këtë rast ka thënë se dy trimat e Ferizajt, Naim Beka dhe Agim Matoshi janë shembulli më i mirë ku trimëria, zgjuarsia dhe atdhedashuria farkojnë lirinë e popullit tonë.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi, ka thënë se këta dy dëshmorë ishin ushtarë dhe trima të pashembullt të historisë më të re të kombit shqiptar.
Ndërsa, Rafiz Sejdiu, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dega në Ferizaj ka theksuar se dy dëshmorët e kombit, Naim Beka dhe Agim Matoshi, që po përkujtojmë sot në përvjetorin e rënies së tyre heroike ishin ndër ushtarët e parë të UÇK-së dhe themeluesit e Batalionit të Logjistikës, të shquar për trimërinë dhe zgjuarsinë e tyre.
/Epoka e re/