Përkujtohen dëshmorët e UÇK-së të Zonës Operative të Llapit, Fatmir Hyseni dhe Skënder Gashi
Në nderim të veprës së tyre, në Penuhë të Podujevës, në 25 vjetorin e rënies në altarin e lirisë, janë përkujtuar dëshmorët e kombit, ish ushtarët e Zonës Operative të Llapit, Fatmir Hyseni dhe Skender Gashi të rënë gjatë betejave kundër forcave serbe me 9 maj 1999.
Familjarë, bashkëluftëtarë, miq e qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe me rastin e 25 vjetorit të rënies së tyre.
Homazhet u bënë të Varrezat e Dëshmorëve në Penuhë të Podujevës, si dhe tek vendi i rënies së tyre tek Shkëmbi i Bardhë.
Ndërsa në përkujtim të rënies së dëshmorit të kombit, Fatmir Hyseni, vëllau i tij, ish i burgosuri politik, ish deputeti, Hajredin Hyseni ia ka kushtuar disa vargje poetike:
Në 25 vjetorin e rënies së Dëshmorit Fatmir H.Hyseni.
Erëra të forta frynin mbi Atdhe,
po Ti me Shkëmbin e Bardhë hovin ua ndalët.
Ti e dije se pa lirinë nuk hapëron Atdheu!
Sot Ti, Shkëmbi e Flamuri qëndroni të pa ndarë!