Përkujtohen Ilir Konushevci dhe mjeku Hazir Mala, ikonat e UÇK-së
Nga Astrit Gashi
Gjaku i gjeneralmajor Ilir Konushevcit dhe dr. Hazir Malës ujit rrënjët e pemës së lirisë, frytet e së cilës do t’i gëzojnë shumë breza. Vepra dhe rënia e tyre edhe sot 25 vite pas rënies së tyre e rrisin përgjegjësinë përballë historisë dhe janë pika referimi përballë të ardhmes. Dëshmorët janë ata që e mbajnë bashkë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë.
Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj sot kujtohen si ikonat e UÇK-së dhe përpjekjeve për lirinë e Kosovës. Ilir Konushevci “Mergimi” ishte njëri prej themeluesve të UÇK-së, luftëtar i orëve të para. Sigurisht emri i tij mbetet i skalitur edhe në historinë e lavdishme të UÇK-së, si njeri prej themelueseve të saj!
Ardian Miftari, dajë i gjeneralmajor Ilir Konushevcit thotë së: “Iliri, përveç përcaktimit për liri, ishte planifikues i gjithë rrugës tonë deri te liria, rrugë e përpjekjeve dhe veprimeve luftarake, e organizimeve luftarake, inspirues i të gjithë të rinjve që të bashkohen në rrugën e lirisë qysh ne vitet e hershme. Tashmë me shumë së dy dekada në secilin fillim të Majit në përvjetorin e tij të rënies në altarin e lirisë me miq dhe bashkëluftëtarë vijmë përkujtojmë Ilirin nipin tonë, feniksin e lirisë. Këta përvjetorë vizitojmë dhe familjen bujare të mjekut dhe mikut të Ilirit, Haziri Malës ishte baza logjistike dhe shtëpia UÇK-së”, tregon Ardiani.
Foto: Ardian Miftari
Ndërsa Selim Haziri mik dhe bashkëluftëtar i “Mergimit” tregon së kur e njohu furnizuesin e UÇK-së.
“Me Ilirin na bashkoi Njësiti ‘Shqiponjat’ ku së bashku me shokët: Shaip Haziri, Naim Hyseni, Rexhep Uka, Lulëzim Podvorica, Naim, Bejtush Llugaliu themelojmë grupin ilegal apolitik me emrin ‘Shqiponjat’, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake. Kjo vërehet në betimin e dhënë, ku thuhet: ‘Betohem para flamurit dhe para shokëve se detyrat, të cilat i parashtron grupi, do t’i kryej me besnikëri dhe nëse është nevoja edhe jetën do ta jap për realizimin e idealit tonë’, tregon njeri nga themeluesit e këtij grupi, Selim Haziri.
Foto: Selim Haziri
Ishte mesnata e 8 majit në rrugën vështirë, Qafë Mali-Fierzë-Bajram Curri. Sapo kaluan fshatin Miliskajë, në vendin e quajtur Poravë, kamioni has në një pritë. Disa persona të armatosur rëndë hapin zjarr me breshëri ku Ilir Konushevci plagoset rëndë ndërsa mjeku Malaj shpëton pa lëndime. Shoferi merr lëndime të lehta dhe sigurohet në një pozicion nga ku kundërpërgjigjet me zjarr. Një prej autorëve të pritës mbetet i plagosur rëndë. Në këtë moment, grupi i tyre tërhiqet me shpejtësi. Ata i drejtohen spitalit të Bajram Currit ku mbërrin i vdekur Agim Demiri.
Mjeku Hazir Malaj merr në krahë Konushevcin e plagosur rëndë dhe niset në këmbë për të kërkuar ndihmë në drejtim të Fierzës. Pasi kishte ecur pak kilometra, autorët e sulmit të parë kishin bërë një pritë të dytë pikërisht në këtë vend të lapidari, plaçkitësit kriminel vrasin dhe mbulojnë me gurë poshtë urës trupat e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës rreth 3 kilometër larg hidrocentralit të Fierzës.
Nga burime brenda Shërbimit Informativ të Shqipërisë, dyshohet së janë plaçkitësit paguar nga sigurimi serb për të ndalë furnizimin me armatim të UÇK-së ata të cilët i kishin zënë pritën Ilir Konushevcit e Hazir Malës janë Bislim Demiri, Agim Demiri, Petrit Braha, Isa Kernaja dhe Shkëlzen Kurbala.Këta të gjithë tashmë janë të vrarë, në përjashtim të Petrit Brahës, i cili jeton në Belgjikë dhe është i paralizuar nga disa plumba që kishte marrë më pas.