Përkujtohen të rënët në 20-vjetorin e masakrës së Tusuzit
Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të dielën para memorialit dhe varrezave të 27 martirëve të lagjes së “Trimave” është organizuar një akademi përkujtimore, me rastin e 20-vjetorit të Masakrës së Tusuzit.
Në këtë akademi ka qenë i pranishëm edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe kryetari i Degës së Nismës Socialdemokrate në Prizren Zafir Berisha.
Në emër të Komunës së Prizrenit dhe kryetarit Haskuka, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Artan Abrashi, ka shprehur ngushëllimet për familjarët e martirëve dhe ka kërkuar drejtësi për gjetjen dhe dënimin e shkaktarëve të këtij krimi.
Gjithashtu në këtë akademi fjalën kanë marrë edhe veprimtarë e aktivistë të çështjes kombëtare, kontribuues për liri dhe përfaqësues të lagjes e të shoqatave të dala nga lufta. Masakra e Tusuzit njihet si ngjarja më e rëndë në qytetin e Prizrenit gjatë kohës së luftës, ku në operacionin brutal të njësisë kriminale serbe ishin masakruar 27 martirë dhe djegur rreth 250 shtëpi të kësaj lagjeje.
/Epoka e re/