Përkujtohet 24-vjetori i vrasjes së pesë anëtarëve të familjes Kastrati në Pejë
Janë bërë 24 vjet nga krimi makabër në familjen Kastrati në Pejë, ku pesë anëtarët e kësaj familjeje, Sokol (Çelë) Kastrati, Xhafer (Çelë) Kastrati, Valdet (Sokol) Kastrati, Adrian (Xhafer) Kastrati, Alban (Xhafer) Kastrati, si dhe fqinji i tyre, Hasan (Emrush) Muratagiqi janë vrarë mizorisht nga dora makabre serbe.
Përfaqësues të institucioneve, bashkë me familjarë e dashamirë të familjes Kastrati sot bënë homazhe në varrezat e qytetit të Pejës.
Lendita Kastrati-Kelmendi, vajza e dëshmorit Sokolit, e po ashtu edhe dëshmitare e ngjarjes u shpreh krenare me të rënët për liri.
Kastrati kujtoi 28 majin e vitit 1999-të si një ditë të tmerrshme për familjen e saj dhe gjithë vendin, derisa uroi që i njëjti krim të mos përsëritet asnjëherë.
Të pranishëm në homazhe ishin edhe ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj, ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Elbert Kransiqi, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Po ashtu të pranishëm ishin edhe kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Me rastin e 24-vjetorit të krimi makabër në familjen Kastrati, u çmua kontributi i kësaj familjeje për çlirimin e vendit./kp/