Përkujtohet atdhetari Hasan Bajraktari në 58-vjetorin e vdekjes (foto)
Hasan Ramë Bajaktari u lind në Strellc të Deçanit më 1890. Familja e tij ishte familje me tradita atdhetare. Në kullën e Ramë Canës, paria e krahinave shqiptare kanë gjete përkrahjen, mikpritjen dhe bujarinë në periudha të ndryshme kohore. Kjo familje ka qenë e kyçur në zhvillimet progresive të shoqërisë gjatë asaj kohe.
Baba i Hasanit, Ramë Cana ka qenë kryetar i Komunës së Strellcit, burrë i dëgjuar për të mirë dhe me mjaft ndikim në kohën e tij. Traditën patriotike dhe atdhetare të familjes e vazhdoi i biri i Ramë Bajraktarit Hasani, i cili u bë ndër personalitetet e njohura të Deçanit më rrethinë. Ishte përfaqësues i bajrakut të Strellcit, këtë status e mbante prej kohësh. Me formimin e Shtetit Etnik, në kuadër të kodeve të jurispodencës veproi edhe Këshilli i Pajtimit-Islihati. Ky institucion popullor, që kishte kompetencat e ligjit, përbëhej nga paria e vendit që u aktivizuan gjatë viteve 1941-1944, dhe që morën iniciativën për faljen e gjaqeve. Islihati vepronte në mbarë territoret e Kosovës. Në këtë këshill të pajtimit në Deçan me rrethina gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë bërë pjesë edhe Demë Ali Pozhari, Ali Bajraktari, Hasan Ramë Bajraktari nga Strellci e shumë të tjerë.
Hasan Ramë Bajraktari një kohë bashkëpunoj më Lush Hajrizin e Strellcit i cili bëri jetë kaçaku për disa vite bashkë me 12 strellcjanë të tjerë, për arsyeje se e kishte sulmuar fshatin e Bellopojë 3-4 herë për arsyeje se aty strehoheshin bandat e çetnikëve të cilët i sulmonin dhe plaçkitnin fshatrat e Komunës së Deçanit e më gjerë. Hasani ka qenë pjesëmarrës në shumë luftëra e beteja.
Hasan Ramë Bajaktari u dallua si luftëtar dhe organizator për mbrojtjen e Krahinës së Plavës, Gucisë, Pazarit të Ri, Nokshiq, Azhanicë, Rozhajës, Tutinit, e vendeve tjera shqiptare në Mal të Zi, që rrezikoheshin nga sulmet çetnike dhe partizane të cilat kishin planifikuar ti shfarosnin popullatën e viseve shqiptare atje. Bajrakut të Strellcit në luftërat e Plavës e Gucisë një kohë i printe Rrustem Bajraktari e pastaj Hasan Ramë Bajraktari. Në këto luftëra pos Rrustemit dhe Hasanit i cili u printe forcave vullnetare të Strellcit e fshatrave për rreth, mori pjesë edhe Haxhi Beqiri, hoxhë i fshatit Strellc, pastaj Lush Hajrizi, Shaban Sadiku, Avdyl Alia nga Strellci i Epërm, Bajram Kama etj., të cilët u dalluan në luftimet që u zhvilluan kur forcat vullnetare shqiptare hynë në Beranë dhe Nokshiq. Këta luftëtar trima qëndruan gjatë në mbrojtje të trojeve shqiptare në Mal të Zi.
Hasan Ramë Bajaktari bashkëpunoi ngushtë me krerë e personalitete të shquara të kohës, në mesin e tyre edhe me Demë Ali Pozharin, i cili ishte përgjegjës për organizimin e luftës për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. Pastaj me Selim Shabanin (Tahirsylaj), po ashtu udhëheqës i dalluar në luftërat për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, me Ali Bajraktarin e Junikut po ashtu udhëheqës në zë në mbrojtjen e tokave shqiptare në Mal të Zi.
Hasani e kishte mik dhe bashkëluftëtar Bajram Kamen e Strellcit më të cilin rrugëtoj gjatë duke punuar për të mirën e vendit. Ishte kundërshtar i madh i regjimit jugosllav, sepse e kishte luftuar kohë të gjatë këtë regjim me pushkë në dorë. Për këtë arsyeje pushteti komunist e arreston në vitin 1945 dhe e dënon më 4 vite burg për veprimtari patriotike. Hasan Ramë Bajraktari gjatë Luftës së Dytë Botërore i kishte strehuar dhe shpëtuar nga përndjekjet disa hebrenj. Kjo tregon qartë se Hasani pos që ishte luftëtar i dalluar ishte edhe humanist i madh. Traditën patriotike dhe luftarake të familjes së Hasan Ramë Bajraktarit e vazhduan në vitet e 80-ta edhe djemtë e tij Binku dhe Smajl të cilët u burgosen nga regjimi Serbe me akuza për veprimtari patriotike ku qëndruan në burgjet famëkeqe të Jugosllavisë.
Gjatë luftës së UÇK-së Binak Dinaj si luftëtar i orëve të para të UÇK-së i cili në luftën e Loxhës e humbi krahun. Kjo familje u dallua edhe për organizime dhe veprimtari ilegale kundër pushtetit serbo sllav me theks të veçantë nga viti 1981 e këndej. Hasan Ramë Bajaktari vdiq në vitin 1964 duke lënë pas një veprimtari të madhe patriotike.
Punoi: Faton B. Mehmetaj
Ky është një artikull i shkruar për Hasan Bajraktarin
Gazeta “Tomorri” e datës 15.4.1941, në artikullin “Shqiptarët kosovarë për çlirimin e tyre”, veç të tjerash shkruante: “Përfaqësues diplomatikë italianë në shtetet e ndryshme vazhdojnë të marrin mesazhe nga ana e qytetarëve shqiptarë, të cilët deri tani ishin nën zgjedhën serbe. Në apelet e tyre shqiptarët shprehin gëzimin e tyre për orën e çlirimit, ku paraqitej një mesazh devocioni për Duçen, duke kërkuar mbrojtjen e Qeverisë Fashiste, nën prirjen e së cilës kombi shqiptar marshon drejt realizimit të idealeve të tij kombëtare”. Ndërsa në të njëjtën gazetë të datës 7.V.1941, devotshmërinë ndaj mbretit Duçe dhe dëshirën për bashkim me shtetin amë e saktësonin edhe me emra konkretë, përndryshe të plagosur në luftën kundër serbëve më 1941, siç janë: Ymer Isufi e Sadik Elezi nga Vokshi; Ali Bajraktari, Tafë Hoxha,Rexhep Jakupi, Hysen Bajraktari nga Juniku; Zenun Aga nga Botusha; Sadri Miftari e Rusi Bilalli nga Deçani; Haxhi Bajraktari nga Morina; Demë Alia nga Pozhari; Haxhi Sadria, Hysen Hadani, Osman Jakupi nga Skivjani; Zenun Rama nga Shishmani; Musë Ymeri nga Hereçi; Hasan Bajraktari nga Strellci; Haxhi Bajraktari nga Vranoci e Muhamet Aga nga Tropoja.