Përkujtohet dëshmori i parë i Rahovecit, Abdullah Bugari në 26-vjetorin e rënies heroike
Të mërkurën janë bërë 26 vite nga Epopeja e Rahovecit.
Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi ka shkruar se të Muri i Pikëllomit, nderuan dëshmorët e Epopesë së Rahovecit të korrikut 1998: Avdullah Bugari, i rënë më 17 korrik, i cili është dëshmori i parë, si dhe Gëzim Hamza “Piktori”, i rënë më 19.7.1998.
“Avdullahu do të kujtohet përgjithmonë si një veprimtar i organizuar në lëvizjen tonë të fshehtë për liri, gjithashtu për trimërinë e treguar në luftë. Ai ishte shembull frymëzimi për ushtarët e UÇK-së dhe mbetet frymëzim atdhedashurie për të gjithë, sot dhe gjithmonë”, ka shkruar ndër të tjera Latifi.
Postimi i plotë i Latifit:
Sot, te Muri i Pikëllimit në Rahovec, nderuam fillimin e luftimeve për Rahovecin, kujtimin për 17 korrikun 1998, kujtimin për martirët dhe dëshmorët e Epopesë së Rahovecit të korrikut 1998: Avdullah Bugari, i rënë më 17 korrik, i cili është dëshmori i parë, si dhe Gëzim Hamza “Piktori”, i rënë më 19.7.1998.
Avdullahu do të kujtohet përgjithmonë si një veprimtar i organizuar në lëvizjen tonë të fshehtë për liri, gjithashtu për trimërinë e treguar në luftë. Ai ishte shembull frymëzimi për ushtarët e UÇK-së dhe mbetet frymëzim atdhedashurie për të gjithë, sot dhe gjithmonë.
Edhe 26 vjet pas rënies në përpjekje me armiqtë tanë, duke e kryer me nder dhe faqe të bardhë e me armë në dorë detyrën e luftëtarit të UÇK-së, Avdullahu mbeti po ai – i gjallë, i buzëqeshur e i pavdekshëm në kujtesën time e të bashkëveprimtarëve të organizuar në lëvizjen ilegale të kohës, gjithashtu, si një bashkëluftëtar i shquar i UÇK-së.
Me të dëgjuar për krismat e para në Drenicë e në Dukagjin, karvanit të lirisë iu bashkua edhe Gëzim Hamza, tashmë i njohur me nofkën ”Piktori”, vendosi që, së bashku me një grup shokësh, të marrë rrugë për në Shqipëri e pastaj ta thyejë Pashtrikun e të depërtojë në Kosovë.
Luftëtar i rryer, me përvojë ushtarake, iu bashkua luftës kroate kundër regjimit serb e për shkëputje nga Jugosllavia e mbetur, Gëzim Hamza mobilizohet me shumë shokë dhe merr pjesë në frontet e Likës e të Kordunit dhe shquhet në betejat “Bljesak” dhe ”Oluja”.
Me të mbërritur, në rolin e eprorit, merr detyra të organizojë strukturat ushtarake në Batalionin “Rahoveci”.
Në ato ditë korriku, luftimet ishin të ashpra, heroike dhe të përgjakshme.
Vërtet, në këto luftime humbëm shumë bashkëluftëtarë trima të sprovuar në beteja e qytetarë të paarmatosur, por pesha e roli i UÇK-së dhe lufta jonë kundër pushtuesit ishte e gjallë, rezistenca jonë ishte e fortë dhe rruga e lirisë kërkonte nga ne çmimin e lartë të gjakut.
Epopeja e UÇK-së në Rahovec, u shkrua me gjak, me shembuj heroizmi e përkushtimi të UÇK-së, të shqiptarëve liridashës, të atyre që ia kthyen gjoksin furtunës, për ta ndalë, për ta goditur e për ta përzënë nga ky truall pushtuesin barbar serb.
Lavdi dhe nderime për jetë të jetëve veprës atdhetare të Avdullah Bugarit dhe të Gëzim Hamzës “Piktorit”!