Përkujtohet heroi Bahri Fazliu: Trim, guximtar dhe i vendosur deri në vetëmohim
Janë bërë 26 vjet nga rënia heroike e heroit Bahri Fazliu. Ai të martën është kujtuar nga familjarët, bashkëluftëtarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi ka bërë homazhe te varri i Bahri Fazliut, ka thënë se ai kishte rënë heroikisht në një ballafaqim të rreptë me forcat serbe.
“Sot më 7 maj janë mbushur 26 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit, Bahri Fazliut – Gëzimit. Ai u vra në betejë, ballafaqim me forcat armike serbe në vendin i cili ndodhet në kufi të Kosovës edhe me Shqipërinë edhe me Malin e Zi. Pra një vend domethënës i cili është në përputhje edhe me idealet e Bahri Fazliut, për çlirim e bashkim kombëtar. Bahri Fazliu është jo vetëm dëshmor i kombit, por edhe veprimtar, artist këngëtar poet i cili ka lënë shumë shkrime, poezi të cilave nuk ju mbaron aktualiteti sepse ato tregojnë qysh liria është më e vlefshme më e shtrenjtë se jeta kundër padrejtësive dhe robërisë së okupatorëve”, ka thënë kryeministri Kurti.
Më tutje, Kurti ka shtuar se nuk do ta harrojnë asnjëherë kontributin e dëshmorëve të kombit për lirinë e Kosovës. “Andaj edhe sot me bashkëpunëtorët e Bahri Fazliut, me familjarët e tij me ministra, qytetarë e aktivistë vijmë dhe bëjmë nderime këtu duke mos harruar asnjëherë se punën më të madhe më të rëndë më të vështirë e kanë kryer dëshmorët e kombit. Edhe ne e kemi shumë të rëndësishme, por këto janë gjë e vogël, gjithsesi në rrugën të cilën e kanë shtruar me gjakun e tyre dhe prej nga ne sot e kemi lirinë”, ka thënë Kurti.
Heroi Bahri Fazliu është përkujtuar edhe nga lideri i AAK-së dhe ish-komandanti i UÇK-së në Dukagjin, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se Bahri Fazliu është një prej figurave më të ndritura të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. “Trim, guximtar e i vendosur deri në vetëmohim, Bahri Fazliu, 26 vjet më parë fitoi përjetësinë, duke u bërë shembull për rininë shqiptare, se si duhet Atdheu dhe si sakrifikohet për të. Lavdi veprës dhe rënies heroike të Bahri Fazliut. Përgjithmonë në kujtesën tonë historike!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Më 7 maj të vitit 1998, në vendin e quajtur Bogiqe, në trekëndëshin kufitar shqiptar Mali i Zi – Kosovë – Shqipëri, ka rënë heroikisht Bahri Fazliu. Bahri Fazliu ishte themelues i LKÇK-së dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për disa vjet kishte jetuar në ilegalitet dhe ishte kryeredaktor i revistës “Çlirimi” e cila botohej nga LKÇK-ja.
Bahriu ishte vëlla i heroit Fahri Fazliu, i cili më 2 nëntor 1989, së bashku me Afrim Zhitinë, kishin rënë heroikisht në një betejë me policinë serbe në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.