Përkujtohet heroi Bedri Shala, deputeti Shala: Shtëpia e Bedriut dhe vëllezërve të tij ishte çerdhe e lëvizjeve ilegale dhe UÇK-së

10 gusht 2023 | 16:17

Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të rënies së heroit Bedri Shala, në fshatin Gjergjicë është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore shtëpi-bazë e UÇK-së, tek vendlindja e heroit.

Në zbulimin e pllakës përkujtimore ka marrë pjesë përfaqësues i familjes Jashari, Bekim Jashari, lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, deputet të Kuvendit, familjar e shumë qytetarë.

Në zbulimin e kësaj pllake, një fjalë rasti ka mbajtur deputeti dhe ish-eprori i lartë i UÇK-së, Ferat Shala.

Shala ka thënë se gjeneral Bedri Shala me vëllezër kanë qenë të brumosur me traditën dhe kulturën atdhedashëse.

Fjalimi i plotë i Shalës:

Të nderuar të pranishëm,

Kam nderin e veçantë që sot të ju drejtohem në këtë përvjetor të rënies së heroit të kombit, gjeneral Bedri Shala.

Gjithashtu sot në prezencën tuaj, jam i nderuar të jap një historik të shkurtër mbi familjen Shala, veprimtarinë kombëtare të kësaj familje, të cilën sot ne si bashkëveprimtar, bashkëudhëtar në rrugën e lirisë dhe të çlirimit, do ta nderojmë e shënojmë në kujtesën historike duke vendosur një pllakë nga institucionet e shoqatave të luftës dhe Agjencionit të Monumenteve.

Familja Shala e njohur historikisht si familje fshatare me bujari e tradita të fuqishme atdhetare.

E bartur kjo kulturë pune dhe nderi deri tek gjenerata e Bedriut që sot po e nderojmë.

Kjo familje në fund të shekullit të kaluar, udhëhequr me punën dhe djersën e gurbetgjiut Veli Shala, dhe djersën, punën dhe bujarinë e nënës Taibe arriti t’i mbijetoj dhunës dhe represionit të egër serb.

Këta prindër të mrekullueshëm, përveç mbijetesës, arritën ti japin vendit djem dhe vajza si Shaban Shalën, Gani Shalën, Ilmi Shalën, Bedri Shalën dhe Nuhi Shalën, si dhe motrat Floria dhe Behija, të cilat nuk ishin kursyer nga regjimi pushtues, duke u arrestuar disa herë.

Vëllezërit Shala të brumosur me traditën dhe kulturën atdhedashëse por tani edhe të shkolluar me shumë mund dhe sakrificë, do ta kthejnë këtë familje dhe këtë shtëpi në çerdhe të lëvizjeve ilegale, në çerdhe dhe shtëpi bazë të veprimtarëve dhe legjendarëve, do ta kthejnë këtë shtëpi si bazë të rritjes dhe zhvillimit të ideve çlirimtare deri në kurorëzimin e fitores së plotë të UÇK-së.

Tani, për hir të kohës dhe mundësive do të ndalem në pika të shkurtra për të përshkruar rolin dhe personalitetet e veçanta të dala nga kjo familje.

Shaban Shala lindur, rritur dhe shkolluar për të jetuar 100 për qind në shërbim të kombit dhe atdheut, një jetë të tërë në burgje, ilegalitet, aktivitet, bashkërendim dhe organizim, në celula dhe organizata si në Rininë Studentore, në organizatat ilegale të kohës, deri tek Lëvizja Popullore e Kosovës dhe të celulave të para të UÇK-së.

Një jetë të plotë bashkëveprim në ilegalitet të thellë me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, me Fehmi Lladrovcin dhe Hafir Shalën, dhe shumë vepimtar të kësaj plejade.

Një jetë të tërë në burgje e bashkëveprim me Adem Demaçin, një jetë të tërë aktivitet me bashkatdhetar si Ali Ahmeti, Jakup Krasniqi, Azem Syla, Gani Syla, e shumë e shumë veprimtar të tjerë.

Një jetë të tërë i angazhuar për të qenë në shërbim të sigurisë së komandantit legjendar Adem Jashari dhe grupit të tij, duke i ofruar bukë e besë në kushtet më të rënda në fillim viteve të 90-ta, kur Adem Jashari dhe grupi i tij ndiqej e luftohej nga shteti më militarë në Evropën Juglindore, komandanti legjendar rrinte i qetë dhe i sigurt, planifikonte dhe organizonte të ardhmen historike të vendit nga kjo shtëpi.

Nga kjo shtëpi Shaban Shala dhe vëllezërit e tij bënin sigurinë fizike dhe ushtarake, ndërsa nëna me bujarinëdhe guximin e saj ushqente dhe kujdesej nga brenda për luftëtarët, për legjendat si Adem Jashari dhe grupi i tij.

Shaban Shala me vëllezërit, shtëpinë e kishte kthyer në institucion ilegal të kohës, institucion sepse po në këtë shtëpi kishin hyrë, strehuar dhe punuar edhe luftëtarët e tjerë të UÇK-së, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe shumë veprimtar e atdhetarë të tjerë.

Shabani edhe pas çlirimit nuk u ndal duke dhënëkontribut në formimin e institucioneve civile dhe ushtarake pas luftës, duke vënë themelet edhe tëushtrisë së ardhshme të Kosovës.

Bedri Shala nuk kishte si të rritej e edukohej përveç ashtu si e mbylli jetën.

Duke u rritur dhe bashkëvepruar me atdhetarët e kohës, por edhe duke njohur, dëgjuar dhe frymëzuar nga shumë atdhetar të ilegales e deri te komandanti legjendar.

Ai domosdoshmërisht ishte pjekur dhe edukuar shkëlqyeshëm për të qenë dhe mbetur gjeneral i UÇK-së, për të qenë dhe për tu përjetësuar në titullin e heroit të kombit.

Edhe pse i ri në moshë, për shkak të rrethanave të persekutimit dhe përndjekjes kishte kaluar në mërgim, nga afër kishte përcjellë përgatitjet për fillimin e luftës dhe qënë fillet e saj ai ishte brenda Kosovës, ai ishte bashkë me Abejën, sa në Drenicë, sa në Dukagjin, e sa në Shqipëri. Aq sa ishte në vijat e frontit, po aq edhe në linjat e furnizimit e organizimit.

Ai ra heroikisht siç, bien heronjtë e kombit.

Të nderuar të pranishëm,

Për mua personalisht ka qenë një nderë i madh që kam njohur këtë familje, dhe që kam qenë bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar i këtyre heronjve.

Vënia e kësaj pllake përkujtimore, nderon familjen Shala, heronjtë e kombit që dha kjo familje, por edhe shënon dhe përjetëson historinë e vuajtjeve dhe sakrificës së kombit shqiptar për liri dhe pavarësi.

Pra, kjo pllakë nuk është vetëm shënjim i historisë së kësaj familje por i historisë së kombit shqiptar. Nderi që po i bëjmë sot kësaj familje është më e pakta që mund të bëjmë për nderin e përjetshëm që ata i kanë bërë kombit. Jeta dhe vepra e heronjve të kësaj familje do të kujtohet përgjithmonë.

Lavdi familjes Shala, lavdi jetës dhe veprës së Shaban Shalës dhe Bedri Shalës.

Rroftë për jetë e mot kujtimi i tyre, dhe kombi shqiptar që ata e deshën aq shumë.

Ju faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fshatin Zasellë të Mitrovicës është inauguruar fillimi i punimeve…