Përkujtohet heroi i kombit, Asllan Fazliu
Heroi i kombit, Asllan Fazliu, është përkujtuar të premten në 20-vjetorin e rënies.
Në një akademi përkujtimore është thënë se heroi Fazliu me një dashuri të jashtëzakonshme për atdheun është bërë pjesë e historisë së lavdishme të kombit, duke iu bashkuar luftës së Adem Jasharit, që nga fillimi i saj.
Në akademinë përkujtimore të organizuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se heroi Asllan Fazliu kishte një vetëmohim, një trimëri dhe guxim deri në vdekjen e tij.
Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmoreve, Xhavit Jashari, ka thënë se pushka e Asllan Fazliut ishte ndër të parat që iu bashkua thirrjes së Adem Jasharit.
Në anën tjetër, Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë, ka thënë se Asllan Fazliu, kishte mobilizuar ushtarët e UÇK-së, duke ndërmarrë kështu një sërë aksionesh kundër forcave serbe.
Në këtë akademi ka folur edhe e bija e heroit Fazliu, Biondina Fazliu, e cila ka thënë se babanë e saj e njeh vetëm nëpërmjet fotografisë.
Asllan Fazliu gjatë luftës mbante nofkën “Luani”. Këtë nofkë ia kishte lënë komandanti Ilaz Kodra, i cili pastaj edhe e kishte emëruar udhëheqës të UÇK-së për Gradicë.