Përkujtohet heroi i Kosovës, Dinë Grabovci
Të mërkurën është përkujtuar edhe heroi i Kosovës, Dinë Grabovci, vëllai i ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Adem Grabovci.
Homazhe tek varri i Dinë Grabovcit ka bërë edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i shoqëruar nga Adem Grabovci dhe djali i heroit, Valoni.
“Sot në kujtim për Dëshmorët dhe të rënët me 8 maj në Saradran! Lavdi e Përjetshme!”, ka shkruar Valon Grabovci në “Facebook”.
Dinë Grabovci ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe kontribuues i jashtëzakonshëm i luftës çlirimtare.
Dinë Grabovci, vëllai i të cilit, Adem Grabovci, ishte i burgosur politikë 3 herë radhazi, njëherit ishte edhe njëri nga pesë nismëtarët e Aksionit të Pajtimit të Gjaqeve në vitin 1990 në Kosovë dhe më pastaj njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkaq e bija e tij, në atë kohë studente, Luljeta, ishte poashtu njëra nga pjesëmarrëset më aktive në demonstratat e mbajtura në Pejë si dhe pjesëtaret e para të pajtimit të gjaqeve.
Në vitin 1990, kur Kosova ishte ngritur në këmbë më fuqishëm dhe me më vendosmëri se kurrënjëherë më parë në kërkim të të drejtave të shkelura dhe lirisë së mohuar nga ana e Beogradit zyrtar, shtëpia e Dinë Grabovcit në Pejë ishte shndërruar në njërën nga pikëtakimet më kryesore dhe njëherit edhe më të sigurta të ish-të burgosurëve politikë të kësaj ane.